Thaçi: S’jam penduar për Specialen
Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtori i drejtorisë politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, në një rrëfim të gjatë për emisionin “Rubikon” të Adriatik Kelmendit, flet për jetën në burg, dhembjen familjare, raportin me SHBA-në dhe Gjykatën Speciale. Ai u qëndron vendimeve të tij, duke i quajtur pjesë e pashkëputshme e rrugëtimit shtetformues të Kosovës.
Nga qelia në Hagë, Thaçi i qëndron vendimit për themelimin e Gjykatës Speciale. Ai e konsideron atë një zgjedhje të vështirë, por më të përgjegjshme përballë rrezikut të një gjykate të imponuar nga OKB me ndikim rus e kinez.
“Kosova ishte përballë dy sfidave: ta themelonte vetë Gjykatën në koordinim me SHBA-në e BE-në, ose t’i imponohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Ne bëmë zgjedhjen më të përgjegjshme. Nuk kam asnjë pendesë”, tha ai.
Në intervistë, ai mbron edhe raportet e tij me SHBA-në, të cilat i cilëson si të barabarta dhe me ndikim thelbësor për pavarësinë e Kosovës.
“Jam krenar për raportin tim me SHBA-në. Kam bashkëpunuar me shtatë presidentë amerikanë dhe kam qenë dëshmitar i përkushtimit të tyre për lirinë e Kosovës. Kushdo që e quan këtë servilizëm, më nderon”, pohoi Thaçi.
Intervistën e Thaçit, e ka komentuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ambasadori Ricard Grenell, ndërsa bashkëpartiaku i tij, Memli Krasniqi tha se Thaçi pa e pas involvimin direkt dhe me një distancë kohore nga angazhimi publik, pati shumë këshilla të cilat secili politikan do duhej t’i merrte parasysh.
“Pas gati pesë vitesh pa qenë fizikisht i pranishëm dhe duke u mbajtur në paraburgim, Thaçi dha shumë dashuri për Kosovën dhe qytetarët, si dhe shpërfaqi një vizion racional dhe të mençur politik për atë që duhet të bëjë Kosova sot”, tha Krasniqi.
Intervista u komentua edhe nga kryetari i Nismës, Fatmir Limaj. Ai tha se intervistën “E kam përcjellë me ndjenja të përziera”.
“Ai së bashku me bacën Jakup, Kadrinë, Rexhën e të tjerët që janë atje ata ka qenë dashtë të shkojnë nëpër forume ndërkombëtare të shpërblehen me çmim të lirisë e jo të gjykohen për kontributin që kanë dhënë për lirinë e Kosovë”, shtoi Limaj.
Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai po mbahet nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat ai i ka mohuar kategorikisht.
