Të paktën 31 të vrarë nga sulmet izraelite në Liban
Ushtria izraelite nisi një fushatë sulmesh ajrore në të gjithë Libanin të hënën, duke shkaktuar vrasjen e të paktën 31 njerëzve, ndërkohë që udhëheqësit izraelitë thanë se po i afroheshin një armëpushimi të negociuar me grupin militant të Hezbollahut.
Në shënjestër të sulmeve izraelite ishin disa ndërtesa komerciale dhe shtëpi banimi në Bejrut si dhe në qytetin port të Tirit. Zyrtarët ushtarakë thanë se në shënjestër të sulmeve ishin zonat që njihen si bastione të Hezbollahut. Ata lëshuan urdhra evakuimi për lagjet periferike në jug të Bejrutit dhe raketat izraelite goditën objektiva në të gjithë qytetin, duke përfshirë objektiva dhjetëra metra afër një baze të policisë libaneze dhe parkut më të madh publik të qytetit.
Sulmet e Izraelit ndodhën pas njoftimeve se zyrtarët ishin më afër arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi dhe njoftimeve se kabineti i sigurisë i Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu po përgatitej të diskutonte propozimin për armëpushim.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha të hënën se 26 njerëz u vranë në Libanin jugor, katër në provincën lindore Baalbek-Hermel dhe një në Choueifat, një lagje në jug të Bejrutit që nuk iu bind paralajmërimeve për evakuim të hënën.
Kjo e çoi në 3,768 numrin total të njerëzve të vrarë në Liban gjatë 13 muajve të luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut. Sulmi ndodh gati dy muaj që kur Izraeli filloi një inkursion tokësor në Liban. Shumë nga të vrarët që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut kanë qenë civilë dhe zyrtarët shëndetësorë thanë se disa nga trupat e gjetur janë dëmtuar aq rëndë sa për identifikimin e tyre do të duhet testi i ADN-së.
Izraeli thotë se ka vrarë më shumë se 2000 luftëtarë të Hezbollahut, që është shpallur orgnizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Bashkimi Evropian. Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se lufta ka detyruar largimin e mbi 1.2 milionë njerëzve nga shtëpitë e tyre.