Franca përballet me zjarre
Ekipet e emergjencave po përballen me disa vatra zjarresh në mbarë jugun e Francës më 2 korrik, pasi flakët shkatërruan 1.200 hektarë tokë një ditë më parë, tha kryeministri Sebastien Lecornu, gjatë një vizite në Marsej.
Vatrat e zjarrit kanë shpërthyer dy deri në tre javë se sezoni i rëndomtë i zjarreve, teksa ato janë regjistruar në disa lokacione.
Lecornu tha se rreth 7.000 vatra zjarresh janë regjistruar që nga nisja e sezonit, të cilat kanë shkatërruar 8.700 hektarë tokë, edhe pse nuk specifikoi se çfarë periudhe saktësisht përfshijnë këto shifra.
Vetëm në dy ditët e fundit, afër 2.000 zjarrfikës shtesë janë dislokuar, teksa autoritetet e përshkruan situatën si të tensionuar.
Franca u përballë me një valë të pazakontë të të nxehtit ekstrem gjatë qershorit, edhe pse temperaturat kanë rënë ditëve të fundit. Gjatë qershorit, Franca raportoi për 1.000 vdekje të lidhura me vapën. Me temperatura të larta u përballën edhe shtete të tjera të Evropës.
Shkencëtarët argumentojnë se valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta, më intensive dhe po shpërndahen gjatë sezonit për shkak të ndryshimeve klimatike.
Përderisa vetë nxehtësia nuk shkakton zjarret e egra, temperaturat e larta, thatësia, lagështia e ulët dhe erërat e fuqishme mund të rrisin rrezikun për shpërthimin e vatrave të zjarrit dhe përhapjen e tyre.
