Të gjithë duhet ta lexojmë: Letra e Bidenit për Vuçiqin pak ditë para se Kurti të fitonte në zgjedhje
Presidenti amerikan Joe Biden i ka dërguar një letër të re urimi presidentit Vuçiq me rastin e ditës së Shtetit që festohet sot më 15 shkurt. Megjithatë, ia vlen ta përkujtojmë letrën e 5 shkurtit të vitit 2021, kur “njohja reciproke” ishte në qendër.
Nëntë ditë para se të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021 në Kosovë – kur Vetëvendosje do t’i fitonte 50.2 për qind të votave – presidenti amerikan Joe Biden do t’i dërgonte një letër urimi presidentit serb Vuçiq. Por, më shumë se Vuçiqi dhe serbët do të gëzoheshin shqiptarët e Kosovës.
Biden do ta përdorte një togfjalësh që do të skandalizonte politikën serbe, por që do t’i jepte shtytje ambicieve të Kosovës për të fituar njohjen nga Serbia: njohje reciproke në qendër.
Qendra
Biden në letrën e tij të 5 shkurtit 2021, fliste për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst ai “inkurajonte” Serbinë që të arrinte një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën.
“Ne mbesim të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrim evropian dhe ju inkurajojmë të vazhdojnë hapat e vështirë drejt arritjes së këtij qëllimi – përfshirë instituimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën me njohjen reciproke në qendër.”
Kurti do ta fuste këtë togfjalësh në fjalorin e tij pas ardhjes në pushtet, duke e përdorur madje edhe për ta distancuar veten me para-ardhësit e tij në qeveri.
Kurti, e përdor si kamxhik ndja opozitës
Kryeministri Albin Kurti e kishte përmendur qindra herë njohjen në qendër gjatë fjalimeve të tij. Ai ndërtonte idenë se para-ardhësit e tij e kishin parakuptuar njohjen si “njohje në fund”, duke u distancuar në këtë formë prej tyre.
Tashmë, ai po bënte ndryshimin e madh. Nga fundi në qendër. Ose, nga shtrirja kohore në atë hapësinore.
“Pra, dialogu dhe njohja janë vënë në raport diakronik, janë vënë të shtrira në kohë, ku njohja na vije në fund e Serbia e shtynte fundin pafundësisht. Tash kemi një zhvendosje prej kontekstualizimit kohor në atë, le të themi, hapësinor, ku njohja reciproke është në qendër të marrëveshjes dhe këtë e thonë të gjithë miqtë dhe partnerët e Republikës së Kosovës, të shtetit tonë të pavarur. Pra, marrëveshja nuk do të jetë vetëm njohja reciproke, mirëpo nuk ka marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër. Pra, jo në fund, në kuptimin e kohës, por në qendër, në kuptimin e hapësirës së gjësendeve të cilat i përfshin ajo marrëveshje.” – shprehej kryeministri Kurti.
Plani franko-gjerman
Letra e këtyre ditëve që Biden i ka dërguar presidentit Vuçiq kësisoji bëhet shumë e rëndësishme. Në raportimin e kësaj letre nga disa medie serbe, nuk thuhet askund që është përmendur njohja reciproke në qendër si në letrën e famshme të vitit 2021.
Ndërkohë, kjo bëhet e dhimbshme veçanërisht nën dritën e planit franko-gjerman (ose propozimit të BE-së, siç po quhet me raste). Ky plan raportohet të mos e ketë fare njohjen, ose qëllimin kryesor që provonte ta arrinte Kosova në dialogun me Serbinë.
Partitë opozitare, LDK e PDK, po e kritikojnë Kurtin që e degradoi procesin e dialogut në një pozicion të tillë. Në anën tjetër, Kurti po mbrohet duke thënë që plani franko-gjerman në fakt e përmban “njohjen de fakto” nga Serbia.
Se si përfundoi Kosova në këtë pikë, është ende jo plotësisht e qartë. Në anën tjetër, letra e Biden ilustron edhe më mirë pozicionin në të cilin ndodhej Kosova në atë kohë.
Letra e plotë:
I dashur z. President:
Në emër të popullit amerikan, shpreh urimet e mia të përzemërta për ju dhe qytetarët tuaj në festën e ditës kombëtare të Serbisë më 15 shkurt.
Derisa festojmë 140 vjetorin e partneritetit mes dy shteteve tona, Shtetet e Bashkuara mbajnë përkushtimin e saj për të promovuar bashkëpunim ekonomik, stabilitet rajonal dhe vlera demokratike. Ne mbesim të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrim evropian dhe ju inkurajojmë të vazhdojnë hapat e vështirë drejt arritjes së këtij qëllimi – përfshirë instituimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën me njohjen reciproke në qendër. Forcimi i marrëdhënieve tona është i ndërtuar në një histori të thellë të lidhjeve të popullit-për-popullin, duke luftuar si aleatë në të dyja Luftërat Botërore, dhe ne i festojmë kontributet e mëdha që serbët kanë bërë për shoqërinë amerikane në shumë fusha. Po ashtu vlerësojmë bashkëpunimin e ngushtë në sfidimin e pandemisë Covid-19 derisa së bashku e konfrontojmë këtë sfidë globale të paprecedent.
Mezi pres të punoj me ju që të rrisin kufijtë e miqësisë mes dy shteteve tona dhe në forcimin e marrëdhënieve tona mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ju dëshiroj juve dhe popullit serb një festë të gëzueshme.
Sinerisht,
Joseph R. Biden Jr.

