Tasholli Hotit: Mos e përçaj LDK-në, ofrohu rreth liderit të zgjedhur

Sefer Tasholli, aktivist i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i është drejtuar me një letër të hapur profesor Hotit duke shprehur pakënaqësinë për qëndrimet e tij të fundit lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe drejtimin e partisë.

Në shkrimin e tij, Tasholli thekson se analiza e zgjedhjeve duhet bërë brenda organeve të partisë, e jo përmes rrjeteve sociale, pasi kjo dëmton unitetin dhe lëndon anëtarësinë. Ai vlerëson se gjatë katër viteve të fundit, angazhimi i strukturave të LDK-së ka qenë i shkëlqyer, por ndryshimi nuk ndodh menjëherë për shkak të ndikimit të pushtetit mbi votuesit.

Tasholli e kritikon Hotin për qasjen e tij pas zgjedhjeve, duke e akuzuar se po përçan partinë dhe po ndjek rrugën e disa figurave të mëparshme që, sipas tij, e kanë braktisur LDK-në pas përfitimeve personale. Ai i bën thirrje profesor Hotit të mos nxisë përçarje, por të qëndrojë pranë kryetarit të zgjedhur, Lumir Abdixhikut, duke e mbështetur për të forcuar partinë në të ardhmen.

Në fund, Tasholli paralajmëron se nuk duhet lejuar askënd të krijojë ndasi brenda partisë dhe u bën thirrje të gjithë anëtarëve të qëndrojnë të bashkuar për të vijuar me rritjen e LDK-së në skenën politike të Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP