Talat Xhaferi viziton AKB-në: Bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Maqedoni e Veriut në fokus

Sot, Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) mirëpriti në selinë e saj në Prishtinë Talat Xhaferi, deputet aktual, ish-Kryeministër dhe ish-Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Xhaferi u prit nga Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, dhe anëtari i kryesisë, Shkëlzen Jusaj, me të cilët zhvilloi një takim miqësor e konstruktiv, të përqendruar në fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Gjatë diskutimit, palët ndanë qëndrime të përbashkëta për rëndësinë e krijimit të një ambienti më të favorshëm për bizneset, duke identifikuar sektorë potencialë për bashkëpunim dhe shkëmbim ekonomik.

“Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë potencial të madh për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Roli i AKB-së si urë lidhëse mes komuniteteve të biznesit është i pazëvendësueshëm,” u shpreh Xhaferi duke theksuar rëndësinë e ndërveprimit rajonal.

Nga ana tjetër, Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, potencoi se “AKB mbetet e përkushtuar që përmes partneriteteve rajonale të lehtësojë lëvizjen e mallrave, investimeve dhe ideve duke krijuar më shumë mundësi për zhvillim ekonomik dhe punësim në të dy vendet.”

Në përfundim të takimit, palët u dakorduan të thellojnë bashkëpunimin përmes projekteve konkrete që do të ndihmojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt një partneriteti të qëndrueshëm ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. /Kosova.info/

Go to TOP