Yamal zgjedh Messin si më të mirin e historisë, por zbulon idhullin e tij

Ylli i ri i Barcelonës dhe Kombëtares së Spanjës, Lamine Yamal, ka hyrë në debatin e përhershëm për lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave, duke e cilësuar Lionel Messin si futbollistin më të madh në histori.

Talenti spanjoll, i cili po konsiderohet si një nga emrat më premtues të futbollit botëror, nuk la vend për dilema kur u pyet për ish-legjendën e Barcelonës.

“Mendoj se në çdo ndeshje ai tregon se është lojtari më i mirë në histori. Nëse dikush ka dyshime, atëherë po kërkon arsye për t’i pasur ato. Për mua, Messi është më i miri”, deklaroi Yamal për “RTVE”.

Megjithatë, edhe pse e konsideron argjentinasin si futbollistin më të madh të të gjitha kohërave, 18-vjeçari zbuloi se inspirimin më të madh në fëmijëri e ka marrë nga Neymar.

Sipas tij, stili spektakolar i brazilianit, driblimet dhe kreativiteti në fushë kanë ndikuar dukshëm në mënyrën se si ai e sheh futbollin.

“Natyrisht, idhulli im është Neymar, sepse më pëlqen ta shikoj duke luajtur. Por Messi është më i miri dhe për këtë nuk ka asnjë diskutim”, shtoi Yamal.

Deklarata e talentit spanjoll pritet të rikthejë diskutimet mes tifozëve për debatin e famshëm të “GOAT”, ndërsa vetë Yamal vazhdon të ndërtojë rrugën e tij drejt majave të futbollit botëror.

Go to TOP