Diskutohen politikat publike dhe sfidat e grave ndërmarrëse 

Në kuadër të konferencës “Gratë në Biznes – She Rises” u mbajt paneli i parë i diskutimit, i fokusuar në politikat publike dhe sfidat aktuale me të cilat përballen gratë ndërmarrëse në Kosovë.

Në panel morën pjesë zëvendësministri në detyrë i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, ministri në detyrë i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, Armend Muja, ministri në detyrë i Punës, i Familjes dhe i Vlerave të Luftës, Andin Hoti, si dhe drejtoresha ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia.

Panelistët diskutuan për masat dhe politikat institucionale që synojnë fuqizimin ekonomik të grave, mbështetjen e ndërmarrësisë femërore dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.

Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e krijimit të kushteve më të favorshme për gratë që dëshirojnë të zhvillojnë aktivitete biznesore, si dhe nevoja për vazhdimin e mbështetjes institucionale përmes programeve të financimit, aftësimit profesional dhe politikave që promovojnë barazinë ekonomike.

Konferenca “Gratë në Biznes – She Rises” synon të nxisë dialogun ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe organizatave relevante, me qëllim avancimin e rolit të grave në ekonomi dhe ndërmarrësi.

Go to TOP