Qeveria Kurti e vendosur të mos përfshihet në rrjetin amerikan të gazit, kjo është letra që ia çuan Ambasadës së ShBA-së

Shtetet e Bashkuara po promovojnë më të madhe përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit, por Qeveria e Albin Kurtit po e refuzon mundësinë, duke i paraqitur madje ShBA-së një alternativë që fokusohet në shfrytëzimin e rezervave vendore të qymyrit.

Në një letër drejtuar Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë të siguruar nga KOHA, Ministria e Ekonomisë ka shprehur interes për bashkëpunim në iniciativa që lidhen me teknologjitë e gazifikimit të linjitit, duke kërkuar mbështetje profesionale dhe mundësi investimi nga partnerët amerikanë.

Dokumenti, i dërguar në prill nga ministrja në detyrë Artane Rizvanolli tek e ngarkuara me punë e SHBA-së, Anu Prattipati, paraqet planet e Qeverisë për zhvillimin e projekteve energjetike që mbështeten në burimet e brendshme të Kosovës.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) historikisht ka operuar një fabrikë të gazifikimit të tipit Lurgi gjatë viteve ‘70 dhe fillimit të viteve ‘80, e ngjashme me Fabrikën e Karburanteve Sintetike Great Plains në Dakotën e Veriut.

Ne do ta mirëpritnim mundësinë për të eksploruar fizibilitetin e ringjalljes së një objekti të tillë me programet e mbështetjes së energjisë të SHBA-së, duke e rreshtuar potencialisht këtë iniciativë brenda fushëveprimit të bashkëpunimeve të mëparshme të suksesshme midis Ministrisë sonë dhe Aktivitetit të Kosovës për Qëndrueshmërinë e Energjisë”, citohet të jetë shkruar aty.

Go to TOP