Peci: Refuzimi i gazit amerikan, aventura më e rrezikshme politike e Kosovës pas luftës
Ish-ambasadori dhe analisti politik, Lulzim Peci, ka kritikuar ashpër qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj projektit të gazit amerikan duke e cilësuar atë si “aventurën më të madhe politike” që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.
Sipas Pecit, në një periudhë kur siguria energjetike po bëhet faktor kyç i sigurisë kombëtare, refuzimi i këtij projekti bie ndesh me interesat vitale të Kosovës.
“Loja e Qeverisë së Kosovës me gazin amerikan është, padyshim, aventura më e madhe politike që nga përfundimi i luftës së vitit 1999”, ka shkruar ai.
Peci ka vlerësuar se argumentet ekonomike të përdorura për të kundërshtuar projektin nuk qëndrojnë, ndërsa opsionin e prodhimit të gazit nga qymyri e ka quajtur një arsyetim të konsumuar që vetëm sa e zgjat krizën energjetike të vendit.
Për të mbështetur qëndrimin e tij, ai ka sjellë shembullin e Turqisë, e cila furnizohet me gaz nga disa vende, përfshirë Azerbajxhanin, Algjerinë, Iranin dhe Rusinë, ndërsa që nga viti 2024 edhe me gaz të lëngshëm natyror (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fund, Peci i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të pranojnë projektin e gazit amerikan dhe të mos rrezikojnë të ardhmen energjetike të vendit përmes vendimeve që, sipas tij, nuk janë në interes të qytetarëve dhe të shtetit./Kosova.info/
