Taktika e re e Kremlinit nxjerr në pah përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet amerikane
Rusia prej kohësh ka bërë përpjekje për të shpërndarë dezinformata për të ndikuar në debatin politik në Shtetet e Bashkuara. Së fundmi ajo po përdor një metodë të re: Duke paguar amerikanë për t’i shërbyer këtij objektivi.
Shtetet e Bashkuara akuzuan këtë javë dy punonjës të medias shtetërore ruse, RT se kishin paguar një kompani në Tenesi për të krijuar përmbajtje pro-ruse, gjë që ka ringjallur shqetësimet për ndërhyrjet e huaja në zgjedhjet e nëntorit dhe nxori në pah taktikën e fundit të Kremlinit në një luftë informacioni në rritje.
Nëse këto akuza provohen, kjo do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm, thonë analistët, dhe ka të ngjarë që të jetë vetëm një pjesë të vogël e një përpjekjeje më të madhe ruse për të ndikuar në zgjedhje.
“Shenjat kanë qenë prej vitesh. Tani po shohim materializimin e tyre. Nuk kam dyshim që ata po e bëjnë një gjë të tillë”, thotë Jim Ludes, një ish-analist i mbrojtjes kombëtare që tani drejton Qendrën Pell për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin “Salve Regina”.
Sipas prokurorëve, dy punonjësit e RT-së, media ruse e njohur më parë si Russia Today, dërguan 10 milionë dollarë në një kompani amerikane të medias, e cila më pas pagoi disa persona me ndikim në rrjetet sociale, të njohur për postime me bindje të krahut të djathtë. Në një rast pagesa ishte 400,000 dollarë në muaj.
Dy nga këta persona thanë se nuk e kishin idenë se puna e tyre po mbështetej nga Rusia. Zyrtarët e zbulimit dhe analistë privatë thonë se fushatat e dezinformimit të Rusisë synojnë ndërprerjen e ndihmës amerikane për Ukrainën, në mënyrë që t’i hapej rruga një fitoreje të shpejtë ruse pas më shumë se dy vjet konflikti të ashpër.
Në garën presidenciale, Rusia mbështet ish-presidentin Donald Trump, si kandidati që perceptohet se mbështet më pak Ukrainën, thonë zyrtarët e zbulimit. Zoti Trump ka vlerësuar hapur presidentin rus Vladimir Putin, ka sugjeruar shkurtimin e fondeve për Ukrainën dhe ka kritikuar vazhdimisht aleancën ushtarake të NATO-s. Zyrtarët thonë se një objektiv dytësor i dezinformimit rus, është rritja e polarizimit politik dhe mosbesimit si një mënyrë për të gërryer besimin e amerikanëve tek demokraci.
Në verë, zyrtarët e zbulimit paralajmëruan se Rusia po përdorte amerikanët pa dijeninë e tyre për të përhapur propagandën e saj, duke e paraqitur në një mënyrë të tillë që t’u përshtatej debateve ekzistuese sociale brenda ShBA-së. Në vend që të krijojë konflikte të reja, Rusia ka identifikuar dhe amplifikuar ndasitë ekzistuese duke përshtatur dezinformimin me rrethanat. Në rastet kur përpjekjet e saj japin rezultat, Rusia mund t’i detyrojë amerikanët të përhapin propagandën e saj falas, pa e ditur as ata burimin e tyre.
Kur një tren që doli nga shinat në Ohajo shkaktoi dëme masive për mjedisin vitin e kaluar, zërat rusë u përpoqën ta ndryshonin drejtimin e debatit me postime antiqeveritare, që u ripostuan me shpejtësi nga përdoruesit amerikanë. Disa faqe interneti amerikane e morën këtë propagandë ruse dhe e shpërndanë atë pa ia atribuuar askujt.
Në fillim të këtij viti, media shtetërore ruse dhe rrjetet të llogarive të rreme në internet, filluan të amplifikojnë pretendimet për emigracionin në platformat e përdorura nga amerikanët.
Kur filloi pandemia e COVID-19, media shtetërore ruse pretendoi pa prova se virusi ishte produkt i eksperimenteve të armëve biologjike të ShBA-së dhe se ShBA kishte laboratorë biologjikë në Ukrainë. Postimet filluan të shfaqen me shpejtësi në faqet e mediave sociale amerikane. Katër vjet më vonë, kjo teori konspiracioni vazhdon të përhapet në bordet e mesazheve të ekstremit të djathtë.
“Po sikur Covid të jetë krijuar në një laborator biologjik të Ukrainës, dhe Lufta u bë për ta mbajtur atë sekret?” shkruante dikush javën e kaluar në X, platforma e njohur më parë si Twitter.
Kompania e paguar nga RT u identifikua si Tenet Media nga dy influencuesit e krahut të djathtë që ajo kishte paguar- Tim Pool dhe Benny Johnson. Të dy ata thanë në mediat sociale të mërkurën se nuk kishin dijeni për marrëdhënien e kompaniës me RT-në dhe se nëse akuzat janë të vërteta, ata janë viktima.
Pool shkroi se askush nuk i kishte thënë se çfarë të thoshte në podkastin e tij dhe dënoi Rusinë: “Putini është një ndyrësirë”. Megjithatë, Pool ka një histori të gjatë përkrahjeje të pikëpamjeve pro-ruse, anti-ukrainase, si dhe teorive konspirative rreth Partisë Demokrate dhe demokracisë amerikane.
Në një episod të podkastit të tij, ai u shpreh se “elementet kriminale” brenda qeverisë së SHBA-së po drejtonin luftën kundër Rusisë dhe tha se Ukraina ishte armiku i vërtetë.
“Ukraina është armiku ynë, i financuar nga demokratët. Ukraina është kërcënimi më i madh për këtë vend dhe për botën. Ne duhet të anulojmë të gjitha financimet, të tëheqim të gjithë mbështetjen ushtarake dhe duhet t’i kërkojmë falje Rusisë”, tha Pool.
Ish-Presidenti Trump tha në Truth Social se kjo çështje ishte një “ndërhyrje në zgjedhje” nga prokurorët federalë, të cilët tha ai ” po përpiqen të thonë se Rusia po më ndihmon, gjë që është absolutisht e rreme”.
Komentet e zotit Trump i referoheshin shqetësimeve për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, kur grupet e lidhura me Kremlinin përdorën rrjetet e mediave sociale dhe reklamat me pagesë në Facebook dhe platforma të tjera për të mbështetur zotin Trump. Rusia gjithashtu u përpoq të ndihmonte ish-presidentin në zgjedhjet e vitit 2020.
Edhe Kina dhe Irani kanë ndërmarrë fushata për të përdorur mediat sociale për të ndikuar te pikëpamjet e amerikanëve. Irani mbështeti në mënyrë të fshehtë protestat mbi luftën në Gazë dhe kohët e fundit u akuzua se ishte përpjekur të depërtonte në sistemet kompjuterike të fushatave të zotit Trump dhe Nënpresidentes Kamala Harris, kandidatja demokrate.
Megjithatë Rusia mbetet kërcënimi kryesor, thonë zyrtarët e zbulimit. Gjatë një konference shtypi muajin e kaluar një zyrtar i Zyrës së Drejtorit të Zbulimit Kombëtar tha se Rusia po përpiqej gjithnjë e më shumë të mbulonte gjurmët duke i bërë përpjekjet e saj përmes “firmave tregtare për të fshehur dorën dhe duke e ricikluar propagandën e saj përmes zërave me ndikim të SHBA-së”. Zyrtari nuk ishte i autorizuar për ta diskutuar çështjen publikisht dhe foli në kushte anonimiteti.
Zyrtarët rusë janë krenuar vazhdimisht me aftësitë e tyre për të ndikuar tek pikëpamjet e amerikanëve, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë amerikane për të mos ta lejuar një gjë të tillë.
Kryeredaktorja e RT-së, Margarita Simonyan, e cila është nën sanksione për lidhjet e saj me qeverinë ruse, detajoi se si Moska përpiqet të fshehë gjurmët nga zbulimi amerikan. “Ne krijojmë shumë burime informacioni që nuk janë të lidhura me ne,” tha Simonyan së fundmi në një emision rus. “Ndërsa CIA përpiqet të gjejë se në ç’mënyrë janë të lidhur me ne, ato e zgjerojnë audiencën.”