Tahiri: Në trevjetorin e keqqeverisjes, Kurti është dorëzuar

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se në trevjetorin e Qeverisë Kurti, Kosova ka pësuar dëme e kthim në pikën më të errët.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti është dorëzuar dhe se po kërkon zgjedhje të parakohshme.

“Ne kemi përgatitur një kërkesë për një debat parlamentar në trevjetorin e kësaj keqqeverisje, e cila realisht ka arritur t’i bëjë vetëm dëme Kosovës dhe ta kthejë në pikën më të errët që nuk e ka besuar askush ndonjëherë. Mirëpo unë jam i kënaqur që dje kryeministri Albin Kurti e tha edhe vetë dhe e ka kuptuar edhe vetë se ai duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Kur në fillim të këtij mandati, kryetari Haradinaj thoshte se ky është një mashtrues, njerëzit shikonin me habi të madhe. Ajo çka karakterizohet këto tri vite është me të vërtetë një qeverisje që nuk i qëndron asnjë vendimi mbrapa dhe siç e patë edhe vetë, kryeministri u dorëzua në mandatin e tij të tretë dhe duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, Kurti ka ardhur në pushtet me shume premtime, si për punësim, investime e drejtësi.

“Ne nuk i kemi parë në këto tri vite. Veç tjerash vendi është nën sanksione e probleme tjera. Do ta vendosim për një rezolutë në Kuvend duke votuar për shkarkimin e kësaj qeverie”, ka theksuar Tahiri.

Go to TOP