Bajrami dënon deklaratën e ministres serbe: Të realizohet padia ndaj Serbisë për gjenocid

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta kishte “përfunduar spastrimin etnik në Kosovë”.

Bajrami e cilësoi deklaratën tronditëse dhe të papranueshme duke theksuar se ajo përbën përpjekje për të legjitimuar një politikë kriminale dhe është fyerje për viktimat e luftës, familjet e të zhdukurve dhe të gjithë ata që kanë përjetuar krimet e regjimit të Millosheviqit.

Sipas saj, fakti që zyrtarë të lartë në Serbi vazhdojnë të glorifikojnë të kaluarën kriminale tregon se vendi mbetet larg standardeve demokratike dhe evropiane.

Bajrami i bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ta dënojnë qartë këtë deklaratë dhe të kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet serbe.

Ajo kërkoi gjithashtu që Qeveria e Kosovës të kalojë nga deklaratat në veprime duke iniciuar pa vonesa padinë ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocidin e kryer në Kosovë duke theksuar se çdo vonesë dëmton drejtësinë për viktimat dhe mbrojtjen e së vërtetës historike. /Kosova.info/


Go to TOP