Tahiri: Dekreti i Presidentes kushtetues, afatet nuk janë çështje vullneti politik
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, ka deklaruar se dekreti i Presidentes për çështjen e zgjedhjes së Presidentit është plotësisht në përputhje me Kushtetutën duke u mbështetur në aktgjykimin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Sipas Tahirit, vet Gjykata ka konfirmuar thelbin e dekretit duke e cilësuar afatin 30-ditor për zgjedhjen e Presidentit si detyrim kushtetues dhe jo si çështje të vullnetit politik.
Ai ka kritikuar zërat kundërshtues duke ngritur pyetjen se si do të reagonin ata nëse Presidentja do të kishte deklaruar vetë se Kuvendi ka në dispozicion 34 ditë shtesë për zgjedhjen e Presidentit duke lënë të kuptohet se kjo do të interpretohej si ndërhyrje politike.
Tahiri theksoi se çdo zgjatje e afatit kushtetues nuk është në kompetencën e Presidentes, por është ekskluzivisht në dorë të Gjykatës Kushtetuese si autoriteti i vetëm për interpretimin e Kushtetutës.
“Presidentja nuk e interpreton Kushtetutën – ajo e zbaton atë”, ka theksuar ai duke shtuar se çdo devijim nga afatet kushtetuese do të perceptohej si veprim politik për blerje kohe.
Në fund, Tahiri ka nënvizuar se shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë me improvizime, por vetëm përmes respektimit strikt të Kushtetutës nga të gjitha institucionet. /Kosova.info/
