Sylvinho thotë se Shqipëria do të luftojë për çdo pikë, arsyeton listën

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka thënë se skuadra shqiptare do të luftojë për çdo pikë në Euro 2024. 

Braziliani ka publikuar të hënën listën prej njëzet e shtatë futbollistëve, ku njëzet e gjashtë prej tyre pritet të jenë në Gjermani. 

“Po luajmë ndaj tre kundërshtarëve të fortë që nuk janë në këtë kompeticion vetëm për të shkuar sa më larg, por kanë ardhur për ta fituar trofeun. Ne duhet të shkojmë në Evropian për të luftuar për çdo pikë, ky është shpirti i duhur dhe ai që kemi. Futbolli është i bukur dhe mund të ndodhi gjithçka, kemi parasysh Portugalinë e viti 2016. Një skuadër shumë e fortë me një trajner shumë të mirë, por mori vetëm tre barazime në grup dhe pastaj fitoi trofeun. Ne duam që të shkojmë ta shijojmë këtë eksperiencë me përgjegjësinë e duhur sepse po luajmë në Evropian dhe është diçka fantastike të luajmë ndaj lojtarëve dhe skuadrave më të mira në botë dhe Evropë”, ka thënë Sylvinho.

“Qëllimi është të shkojmë, të luftojmë për çdo pikë dhe të rritemi e të përmirësohemi”.

Ai ka thënë se deri tek lista ka ardhur pas një pune prej tre muajsh. 

“Kam tre muaj që punoj mbi këtë listë. Kam ndryshuar shumë herë dhe kjo listë është bërë në tre ditët e fundit. Kemi besim te ky grup prej njëzet e shtatë lojtarësh që kemi zgjedhur. Kemi studiuar lojtarët me detaje këto kohë, kemi studiuar edhe rivalët dhe zgjedhjet janë bërë në bazë të kësaj pune, analize. Prandaj ne dolëm me këto zgjedhje. Grupi i lojtarëve është në formë të mirë”, është shprehur Sylvinho.

Ai ka thënë se për të bërë zgjedhjet është bazuar në studime, analizë, karakteristika individuale e kolektive të çdo lojtari, si edhe të skenarit që do të jetë në finalet e Evropianit. 

Go to TOP