Syla: Videot virale po krijojnë “viroza” shoqërore dhe dëmtojnë objektivat kombëtare
Gazetari dhe ish-diplomati Donat Syla ka reaguar ndaj një videoje të bërë virale në rrjete sociale, ku një qytetare në një paraqitje telefonike në një emision televiziv ka thënë se “Amerika ka gabu”. Sipas tij, problemi nuk qëndron te deklarata vetjake, por te hapësira që mediat po i japin rasteve të tilla.
“E keqja është në faktin se janë pikërisht këto video virale që po shkaktojnë viroza për vendin tonë, po etablojnë bindje në shoqëri. Hapësira që mediat mainstream në Kosovë po i japin gjithsecilit qytetar të shprehet për sfidat politike të vendit, janë duke i bërë jashtëzakonisht dëm objektivave tona kombëtare,” ka theksuar Syla.
Ai shtoi se nëse një qytetar pa asnjë kualifikim merr hapësirë në media për çështje madhore, atëherë bashkë me median që e promovon, kontribuon në relativizimin e problemeve jetike të shtetit.
Syla ironizoi edhe garën e disa mediave për klikime duke thënë se nëse është fjala për shikueshmëri, “le të ftojnë Gjestin apo Luizin, ose qytetaren që komenton me vëmendje zhvillimet e Big Brother-it”, por jo për të analizuar sfidat politike të Kosovës. /Kosova.info/
