Syla: Trumpi s’po i konsideron as Gjermaninë e Francën për Ukrainën, e lëre më Kosovën

Gazetari dhe diplomati Donat Syla ka ngritur shqetësime mbi qasjen e mundshme të Donald Trumpit ndaj Kosovës. Në një analizë të tij, Syla paralajmëron se Trumpi mund ta trajtojë çështjen shqiptaro-serbe pa përfshirë fare Prishtinën, duke negociuar drejtpërdrejt me Beogradin.

“Trump ka thënë se Ukraina një ditë mund të bëhet ruse, ndërsa në një telefonatë me Zelenskyn i ka kërkuar qindra miliarda dollarë nga shfrytëzimi i resurseve natyrore të Ukrainës në këmbim të ndihmës amerikane”, shkruan Syla duke e vendosur këtë qasje në një kontekst më të gjerë gjeopolitik.

Sipas tij, Kosova nuk duhet ta marrë si të mirëqenë përkrahjen amerikane.

“Nga perspektiva e Trumpit, Kosova është një zonë ku trupat amerikane janë garantuese të sovranitetit dhe territorialitetit të shtetit tonë, gjë që është e vërtetë. Por, kam frikë se me këtë dozë dalldie se jemi sovranë dhe se kemi kryeministrin më të mençur në univers, Trump do t’ia lidhë kokën problemit shqiptaro-serb vetëm duke biseduar me Serbinë”, thekson ai.

Duke analizuar qasjen e Trumpit ndaj Ukrainës dhe vendeve europiane, Syla paralajmëron se Kosova mund të mos trajtohet fare si palë në dialog.

“Mos harroni, ai nuk po i konsideron si palë as Gjermaninë dhe Francën për Ukrainën, kështu që ne mund të eksaltohemi me rolin inferior që Trump i ka dhënë Richard Grenellit”, shton ai.

Syla e mbyll analizën e tij me një konstatim të fortë mbi pasojat e një qëndrimi të tillë: “Gjithsesi, ky parashikim ogurzi do t’i japë të drejtë Ilazit nga Sangalla, i cili thotë se Amerika kurrë s’na ka dashur. Por, falë kokëfortësisë së kryeministrit tonë, nuk ia lamë krejt në dorë Serbisë Kosovën!”.

Kjo analizë ka hapur debat mbi rolin e Kosovës në politikën ndërkombëtare dhe mbi nevojën për një qasje më strategjike në raport me aleatët globalë. /Kosova.info/


Go to TOP