Syla: Serbia në protesta kundër Vuçiqit, por jo për Kosovën

Protestat e fundit në Serbi kundër presidentit Aleksandar Vuçiq kanë nxitur spekulime mbi të ardhmen politike të vendit, por analistët theksojnë se këto zhvillime nuk lidhen me përmirësimin e raporteve me Kosovën.

Sipas gazetarit dhe diplomatit Donat Syla, pakënaqësia ndaj Vuçiqit buron nga çështje të brendshme dhe jo nga një dëshirë për të ndryshuar qasjen e Serbisë ndaj Kosovës. “Edhe nëse rrëzohet Vuçiqi, një Vuçiq tjetër, ndoshta edhe më i keq, do të vijë me synimin për t’i bërë telashe Kosovës,” ka shkruar ai.

Protestat, të nxitura nga pakënaqësia me qeverisjen, çështjet ekonomike dhe akuzat për korrupsion, po forcojnë opozitën, e cila mbetet nacionaliste dhe nuk ofron ndryshime thelbësore në politikat ndaj Kosovës. Për pasojë, sipas Sylës, zhvillimet në Serbi nuk duhet parë me emocione, pasi realiteti politik mbetet i njëjtë: Serbia vazhdon të sfidojë shtetësinë e Kosovës, pavarësisht se kush është në pushtet. /Kosova.info/


Go to TOP