Syla kritikon rritjen e LDK-së: Rezultat i inercionit, jo i suksesit të Abdixhikut

Gazetari dhe diplomati Donat Syla ka komentuar rritjen e votës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duke e cilësuar atë si një rikthim të votuesve tradicionalë rugovistë dhe jo si rezultat të strategjisë së kryetarit Lumir Abdixhiku.

Syla argumenton se 5% e rritjes së votës nuk është meritë e Abdixhikut dhe ekipit të tij, por vjen nga një zhgënjim i përkohshëm i elektoratit që dikur mbështeti Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. “Ai 5% që shënon rritje nuk është rezultat i Lumirit me shokë, të kuptohemi!”, thekson ai.

Në analizën e tij, Syla kritikon përpjekjet e Abdixhikut për të ndërtuar profilin e tij politik, duke e akuzuar se ka imituar qasjen e Albin Kurtit dhe komunikimin publik të Edi Ramës. Sipas tij, Abdixhiku ka larguar figurat e vjetra të partisë dhe është rrethuar nga një rreth i ngushtë mbështetësish.

“LDK nuk e ka problem ndërrimin e liderit. Nëse nuk lëshon rrugë, Lumiri duhet të shkarkohet, sepse ai nuk mund të bëjë më shumë se ç’ka bërë,” deklaroi Syla duke paralajmëruar se, nëse Abdixhiku vazhdon të mbetet në krye të partisë, LDK rrezikon të mbetet një parti satelit që vetëm ndihmon në formimin e qeverisë, pa pasur ndikim real në vendimmarrje.

Ai e konsideron të papranueshme që Abdixhiku ka vendosur emrin e tij si slogan të partisë, një veprim që sipas tij nuk është karakteristikë e një lideri të LDK-së. “Lumiri është i vetmi ndër liderët që ka bërë këtë, madje edhe Albin Kurti, me gjithë pushtetin e tij të plotë në VV, nuk ka vepruar kështu,” thekson Syla.

Në përmbyllje, ai sugjeron se për të shmangur degradimin e mëtejshëm Abdixhiku duhet ose të largohet vetë, ose të shkarkohet nga strukturat e partisë. “LDK nuk mund të vazhdojë me këtë qasje, përndryshe do të mbetet vetëm një faktor numrash për formimin e qeverisë, pa një identitet të qartë politik dhe elektoral,” përfundon Syla. /Kosova.info/


Go to TOP