Sveçla: Situata e sigurisë në veri është e qetë, nga nesër ulet prezenca policore për 25%
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se vlerësimi i përbashkët mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, është se situata në veri është e qetë.
Sveçla ka thënë se pas vlerësimit të situatës së sigurisë, nga nesër do të ulet prezenca policore edhe për 25%.
“Policia e Kosovës ka mbajtur një takim me EULEX-in dhe KFOR-in, siç është paraparë me pikën 2 të marrëveshjes së Bratislavës.Konkluzioni i vlerësimit të përbashkët të sigurisë është se situata është e qetë. Nga nesër do të ulim prezencën e policisë edhe me 25% brenda dhe përreth ndërtesave komunale”, ka shkruar Sveçla në Twitter.
Ai ka thënë se, Kosova po zbaton zotimet nga marrëveshja e Bratislavës dhe po vazhdon të kontribuojë pozitivisht në de-përshkallëzim.
