Sveçla e Hoxha vizitojnë policin e plagosur, e përgëzojnë për reagimin

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, kanë vizituar të dielën Januz Veselaj, pjesëtarin e Policisë së Kosovës i cili u plagos gjatë intervenimit në një vjedhje në kishën e Zllakuqanit.

Ministri Sveçla e ka përgëzuar policin për reagimin e shpejtë e profesional si dhe për rezistencën përballë plaçkitësve.

“Me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha dhe drejtorin e Departamentit të Rendit Publik Arbnesh Ajvazi, sot vizituam Januz Veselaj, pjesëtarin e Policisë së Kosovës i cili u plagos gjatë intervenimit në një vjedhje në Kishën e Zllakuqanit. E përgëzova Januzin për reagimin e shpejtë e profesional si dhe për rezistencën përballë plaçkitësve që rrezikuan jetën e tij”, ka shkruar Sveçla, i cili gjithashtu ndjehet i gëzuar që rikuperimi i Jonuzajt po vijon shumë mirë. 

Hetimet në identifikimin e kryesve të tentim vjedhjes dhe plagosjes së Januzit, sipas ministrit të rendit, janë duke u zhvilluar me intensitet të lartë.

“Kryesit e këtij akti dhe kushdo që do të tentojë të kryejë akte të tilla, do të përballet me gjithë forcën e ligjit”, ka shkruar Sveçla në Facebook. /Kosova.info/

Go to TOP