Sutaj: Ramosaj dëshmoi qeverisje me punë në Deçan
Bartësi i listës së AAK-së për Kuvendin Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj, ka reaguar pas debatit të mbrëmshëm në emisionin “Jeta në Kosovë”, ku morën pjesë kandidatët për kryetar të kësaj komune, shkruan Kosova.info.
Sipas tij, përkundër faktit se në garë janë gjashtë kandidatë, qytetarët e panë qartë se vetëm Bashkim Ramosaj ka dëshmuar lidership dhe qeverisje të suksesshme, duke e quajtur atë favorit për një fitore të thellë në zgjedhjet e 12 tetorit.
“Deçani është ndërtuar dhe zhvilluar përtej mundësive buxhetore që ka pasur. Sot është më i bukur dhe më i zhvilluar në terren, në të gjitha segmentet e jetës, falë punës dhe përkushtimit të Kryetarit Bashkim Ramosaj”, u shpreh Sutaj.
Ai rikujtoi projektet kryesore të realizuara gjatë mandatit aktual, si Kompleksi “Fetnete Ramosaj”, investimet në arsim me ndërtimin dhe renovimin e shkollave, përkrahjen për bujqit dhe studentët, përmirësimin e infrastrukturës rrugore, si dhe zhvillimin e turizmit malor në Alpet e Deçanit.
Sutaj ka kritikuar kundërshtarët politikë për, siç tha ai, “mungesë programi dhe fokus në sulme personale”, duke theksuar se debatet e tilla nuk i shërbejnë qytetarëve.
Ai u shpreh i bindur se më 12 tetor, qytetarët e Deçanit do t’ia besojnë sërish qeverisjen Bashkim Ramosajt me mbi 75% të votave./Kosova.info/
