Supremja për një vit përfundoi 2.209 lëndë, 544 mbeten të pakryera

Gjykata Supreme e Kosovës ka mbajtur Seancën e parë të Përgjithshme për vitin 2026, e cila u drejtua nga kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi. Në këtë seancë morën pjesë gjyqtarët e Gjykatës Supreme, përfshirë edhe gjyqtarë nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës.

Gjatë seancës, kryetari Rexhepi prezantoi Raportin Vjetor të punës së Gjykatës Supreme për vitin 2025 duke theksuar se falë angazhimit dhe punës së mirë është arritur një shkallë efikasiteti prej 93.21 për qind.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 Gjykata Supreme ka kryer gjithsej 2.209 lëndë, ndërsa 544 lëndë kanë mbetur të pakryera. Po ashtu, gjatë këtij viti janë pranuar 2.370 lëndë të reja, derisa numri i përgjithshëm i lëndëve në punë ka qenë 2.753.

Një nga pikat kryesore të rendit të ditës ishte shqyrtimi i Planit të Punës së Gjykatës Supreme për vitin 2026. Pas diskutimeve, ky plan u miratua unanimisht nga anëtarët e Seancës së Përgjithshme.

Kryetari Rexhepi bëri të ditur se edhe gjatë vitit 2026, unifikimi i praktikës gjyqësore do të mbetet prioritet kryesor i Gjykatës Supreme. Në këtë drejtim, janë paraparë tryeza diskutimi me gjyqtarë të Gjykatës së Apelit, Gjykatës Komerciale, si dhe me gjyqtarë të Gjykatave Themelore.

Po ashtu, në funksion të unifikimit të praktikës gjyqësore, në kuadër të Gjykatës Supreme do të themelohet Zyra për Hulumtim, Publikim dhe Monitorim. Kjo zyrë do të fokusohet në hulumtimin e praktikave gjyqësore dhe përputhshmërinë e tyre me praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut (GjEDNj), si dhe në monitorimin e zbatimit të praktikave të unifikuara të Gjykatës Supreme në gjykatat e niveleve më të ulëta. /Kosova.info/


Go to TOP