Supremja: Nxjerrja e akteve nënligjore nga ministrat që janë deputetë shkel dispozitat kushtetuese
Gjykata Supreme e Kosovës ka thënë të martën se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
Supremja e shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Udhëzimi administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronike fiskalë, ishte publikuar në gazetën zyrtare më 16 prill, një ditë pasi ishte miratuar nga ministri në detyrë, i cili është gjithashtu i betuar si deputet i legjislaturës së re pas zgjedhjeve të shkurtit.
“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, tha Supremja.
Pas vendimit të martën, Lidhja Demokratike e Kosovës tha në një reagim në Facebook se vendimi i Supremes konfirmon qartazi “shkeljet e rënda kushtetuese dhe ligjore” nga ana e deputetëve të cilët edhe pas certifikimit si deputetë kanë vijuar të ushtrojnë funksione ekzekutive, “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë.
“Gjykata Supreme ka konstatuar qartazi se ministrat e certifikuar si deputetë, në çdo nxerrje vendimi veprojnë në shkelje të rëndë ligjore, kanë uzurpuar dhe po ushtrojnë funksionet në mënyrën e paligjshme dhe arbitrare pas përfundimit të mandatit”, tha ajo.
LDK-ja deri më tani ka ushtruar 17 kallëzime penale kundër ministrave në detyrë.
“Në këtë drejtim, LDK nesër do ta deponojë këtë vendim të Gjykatës Supreme në Prokurori si dëshmi e argumentimit tonë në këto 17 kallëzime penale”, shtoi ajo.
