Sanksionet e reja kundër Rusisë, ndoshta më të dobëtat deri më tani

Sanksionet e fundit të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, të miratuara formalisht më 21 korrik, janë ndoshta paketa më e dobët – deri më tani – nga Brukseli. Për të kuptuar arsyen, nuk keni nevojë të shikoni përtej aktiviteteve të tjera të bllokut, në përgatitje të atij që mund të jetë një dimër i gjatë dhe i ftohtë.

Paketa e fundit e masave kundër Rusisë është e shtata nga BE-ja qëkur Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, më 24 shkurt. Por, Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për përgatitjen e sanksioneve të BE-së, nuk i referohet këtij numri. Ai, thjesht, e cilëson atë si “paketë të vazhdimësisë”.

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Diplomatë të BE-së, që flasin në kushte anonimiteti, e thonë edhe më troç – “një paketë pushimesh, gati për t’u nënshkruar përpara se Brukseli të mbyllet jozyrtarisht për pesë javët e ardhshme”, thotë një prej tyre.

Ndalimi i arit rus – në përputhje me masat e grupit të vendeve më të industrializuara, G7, për të cilat është rënë dakord në qershor – është ndoshta hapi kryesor. Masat e tjera kryesisht mbyllin vrima që janë zbuluar në gjashtë paketat e para dhe shtojnë vetëm disa artikuj dhe emra në listën e të sanksionuarve.

Merrni, për shembull, ndalimin e anijeve me flamujt rusë në portet e BE-së, që është prezantuar më herët. Me masat e reja, ndalesa mbulon jo vetëm portet, por edhe ngushticat, sepse disa zyrtarë kanë vënë re se disa anije janë shkarkuar në portet hyrëse të kanaleve, që çojnë në portet në Holandë dhe në veri të Gjermanisë.

Sipas Agjencisë evropiane të Statistikave, Eurostat, Rusia i ka siguruar BE-së 24.8 për qind të naftës në vitin 2021.

Përndryshe, me masat e reja do të sanksionohen edhe rreth 50 artikuj të rinj nga sektori i kimikateve, metaleve dhe makinerive, ndërsa asetet do t’u ngrihen edhe rreth 50 personave dhe subjekteve të tjera.

Lista, që në total përfshin afër 1.200 njerëz dhe 100 subjekte, tani përmban edhe bankën më të madhe ruse, Sberbank, klubin e çiklistëve të lidhur me Kremlinin, “Ujqërit e natës”, disa politikanë, oligarkë dhe disa të afërm të tyre.

Një gjë tjetër potencialisht e dobishme është se Brukseli do të kërkojë “vetëraportim” për personat e listuar nën sanksione. Kjo do të thotë se individët e sanksionuar duhet t’i tregojnë asetet e tyre me bazë në BE. Dështimi për ta bërë këtë, nënkupton shkelje të rregulloreve të BE-së dhe, në parim, bëhet subjekt i hetimeve penale kombëtare. I takon çdo shteti anëtar të BE-së që këtë ta kontrollojë vetë. Masat, pastaj, mund të çojnë në konfiskimin e pasurive të padeklaruara.

Pasojat e negociatave gati njëmujore, në fillim të verës, për ndalimin e shumicës së naftës ruse deri në fund të vitit, e veçanërisht qëndrimi i ashpër i Hungarisë për të bërë përjashtim, kanë luajtur qartazi rol te BE-ja që të jetë më e kujdesshme.

Dhe, derisa kundërshtaret e ashpra të Rusisë, si shtetet baltike dhe Polonia, duan të vazhdojnë me më shumë masa ndëshkuese, vendet e tjera ndoshta duan të lëvizin më ngadalë.

Për çdo masë të re nevojitet unanimitet midis 27 vendeve anëtare të BE-së. Por, në realitet, mbeten vetëm tri fusha të mëdha për t’u sanksionuar: nafta e mbetur, pajisjet bërthamore dhe gazi. Dhe, shënjestrimi i secilës prej tyre mund të jetë i vështirë në një të ardhme të afërt.

Me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike brenda Bashkimit Evropian, ashtu si edhe të inflacionit, zyrtarë të BE-së – në kushte anonimiteti – thonë se Brukseli ka gjasa që gjatë gjithë dimrit, të përqendrohet në paketa të tilla si kjo e fundit, dhe jo në diçka më substanciale që do ta godiste ekonominë ruse.

Për të shënjestruar 10-përqindëshin e mbetur të naftës ruse, duhet bindur Hungarinë dhe vendet e tjera të Evropës qendrore dhe lindore pa dalje në det.

Në këtë drejtim mund të ketë lëvizje nëse Komisioni Evropian dhe Hungaria kapërcejnë disa mosmarrëveshje rreth sundimit të ligjit, që janë duke bllokuar miliarda euro fonde të BE-së, të destinuara për Budapestin.

Shënjestrimi i pajisjeve dhe shërbimeve bërthamore ruse mund të jetë po ashtu problematik, sepse, ngjashëm, do të ndikonte në mënyrë disproporcionale në Evropën qendrore dhe lindore.

Ndërkaq, gjetja e furnizimeve alternative me gaz mund të jetë e kushtueshme dhe e vështirë.

Por, disa kanë argumentuar se gazi rus – i përdorur në masë të madhe në BE – duhet të jetë caku i radhës.

Ndërprerja e fundit e rrjedhës së gazit nëpërmjet gazsjellësit Rrjedha e Veriut 1 për, siç është thënë, qëllime mirëmbajtjeje, ka qenë një rikujtim tjetër për Brukselin se ai duhet t’i diversifikojë furnizimet dhe të eliminojë varësinë e tij nga Moska.

Gazsjellësi Rrjedha Veriore 1 në Lubmin të Gjermanisë. 7 mars 2022.

Prandaj, nuk është befasuese kur shikoni anëtarë të Komisionit Evropian që fluturojnë nëpër botë, për të arritur marrëveshje në emër të të gjithë BE-së për burime alternative të energjisë.

Udhëtimi i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Azerbajxhan, në fillim të kësaj jave, duhet parë nga ky këndvështrim. Ajo është pajtuar për një memorandum mirëkuptimi me Bakunë, për të zgjeruar Korridorin Jugor të Gazit.

Nisur nga viti i ardhshëm, ky korridor do të sigurojë 12 miliardë metra kub gaz në vit – nga 8 miliardë, sa është sasia aktuale.

Marrëveshje të ngjashme tashmë janë nënshkruar ose janë duke u bërë me disa shtete të Gjirit, Algjerinë, Norvegjinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Brenda BE-së janë krijuar depo të përbashkëta të gazit, që duhet të mbushen 80% deri më 1 nëntor – krahasuar me mesataren aktuale që është 64%.

Dhe, në përpjekjen e fundit për të kufizuar konsumin e energjisë, Brukseli ka propozuar një rregullore, që do të vendosë një objektiv vullnetar për reduktimin e gazit për 15% në bllok, në periudhën 1 gusht – 31 mars. Ky objektiv mund të bëhet i detyrueshëm, në rast të ndonjë mungese të madhe të gazit.

E gjithë kjo mund t’i hapë rrugë BE-së që përfundimisht të ndalojë gazin rus, edhe pse kjo nuk ka gjasa të ndodhë këtë dimër.

Embargoja që mund t’ia ndalë vrullin Rusisë

Ndërkohë, ka të ngjarë të dëgjojmë më shumë mesazhe nga Brukseli, të ngjashme me ato që shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i ka përcjellë në blogun e tij të fundit.

Ai ka thënë se qytetarët e BE-së duhet të kenë “durim strategjik” kur bëhet fjalë për sanksionet, sepse “mund të duhet një kohë e gjatë që ato të kenë efektin e dëshiruar”. Rusia, ka thënë ai, “do të detyrohet të zgjedhë midis gjalpit dhe armëve, duke e ndrydhur Putinin në një të keqe, që po rëndohet gradualisht”.

Por, pyetja kryesore është nëse Ukraina mund të ketë durim të ngjashëm me BE-në.

Go to TOP