SPERTK mbështet protestën e punëtorëve të RTK-së: Nuk do të ndalemi deri në sigurimin e pagave

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka njoftuar se mbështet nismën e kolegëve të tyre në RTK për protestë, e cila do të mbahet të hënën duke filluar nga ora 09:30.

Sipas njoftimit, protesta është organizuar nga punëtorë që nuk janë pjesë e asnjë sindikate, ndërsa SPERTK u bën thirrje të gjithë punëtorëve, pa dallim, të marrin pjesë dhe të mbështesin çdo veprim për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe të mediumit publik.

“Kjo protestë i paraprin protestave të tjera, dhe aktivitetet sindikale nuk do të ndalen deri në arritjen e këtij qëllimi. Deri në realizimin e plotë të kërkesave tona, do të organizojmë aktivitete sindikale,” thuhet në deklaratën e sindikatës.

SPERTK kujton se më 6 gusht kishte organizuar protestën e parë për këtë çështje dhe thekson se vepron vetëm për sigurimin e pagave, pa ndonjë interes tjetër personal.

Në fund, sindikata sqaron se në rast se pagat dalin në llogaritë e punëtorëve para ditës së protestës, atëherë do të lëshohet njoftim për anulimin e saj. /Kosova.info/


Go to TOP