SPERTK kërkon pagën e 13-të për punonjësit e RTK-së: Paralajmërohen masa sindikale
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së (SPERTK) ka kërkuar publikisht trajtim të barabartë për punonjësit e Radio Televizioni i Kosovës në lidhje me pagesën e 13-të për vitin 2026.
Në reagimin e saj, SPERTK thekson se, ndonëse sipas Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026 dhe deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti është paraparë që punonjësit e sektorit publik të përfitojnë pagën e 13-të, RTK ka mbetur jashtë këtij mekanizmi.
Sipas sindikatës, kjo situatë krijon pabarazi mes punonjësve të RTK-së dhe atyre të institucioneve të tjera që financohen nga buxheti i shtetit duke theksuar se edhe RTK është institucion publik që kontribuon drejtpërdrejt në informimin e qytetarëve.
SPERTK ka paraqitur tri kërkesa kryesore: përfshirjen e RTK-së në mekanizmin ligjor dhe buxhetor të pagës së 13-të, miratimin e një akti ligjor apo vendimi administrativ që e përcakton këtë përfshirje dhe njoftimin e sindikatës për vendimin përfundimtar brenda një afati të arsyeshëm.
Kjo kërkesë i është drejtuar institucioneve përgjegjëse, përfshirë Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Financave dhe Komisionin për Buxhet dhe Transfere të Kuvendit të Kosovës.
Në fund, SPERTK ka paralajmëruar se, në mungesë të një përgjigjeje konkrete dhe të dokumentuar, do të ndërmarrë të gjitha veprimet sindikale të lejuara me ligj për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të RTK-së. /Kosova.info/
