Spanjë, shkon në 95 numri i të vdekurve si pasojë e përmbytjeve
Autoritetet spanjolle kanë thënë se deri me tani kanë konfirmuar se, si pasojë e vërshimeve të befasishme në pjesën jug-lindore të vendit, kanë humbur jetë së paku 95 persona dhe se qindra të tjerë kanë pësuar lëndime të ndryshme.
Megjithatë, autoritetet shtojnë se ky nuk do të jetë numri përfundimtar i viktimave pasi që dhjetëra individ janë ende të pagjetur dhe nuk dihet se a i kanë mbijetuar vërshimet apo jo.
Ekipet emergjente, së bashku me më shumë se 1 mijë ushtarë, janë ende duke punuar për të arritur tek të gjithë qytetarët e goditur pasi që disa fshatra kanë mbetur tërësisht të izoluara nga pjesa tjetër e vendit.
Më i godituri është rajoni Valnecia, ku janë shënuar 95 viktima përderisa dëmet e shkaktuara po përshkruhen si katastrofike sipas njoftimeve, disa prej komuniteteve të rajonit janë shkatërruar tërësisht përderisa një numër i madh i rrugëve dhe hekurudhave në rajon janë ende të mbyllura.
Vërshimet e befasishme erdhën pasi që kjo pjesë e Spanjës u godit nga të reshurat e fuqishme të cilat sollën më shumë se 30 centimetra shi në vetëm disa orë .
Mediumet kanë thënë se shpejtësia me të cilën erdhën vërshimet është arsyeja kryesore e numrit kaq të madh të viktimave pasi që banorët nuk patën kohë të largohen para se vendet ku gjindeshin të përmbyseshin.
Edhe pse të reshurat kanë humbur fuqinë, meteorologët paralajmërojnë se ende ka rrezik nga vërshimet si dhe nga rrëshqitjet e dheut.