Spahiu kritikon përdorimin e flamurit të UÇK-së në Tiranë: “Çka lyp në stadium? Merreni dhe çojeni në muze!”
Profesori universitar Nexhmedin Spahiu ka reaguar ashpër pas incidentit me flamurin e UÇK-së në stadiumin “Air Albania” gjatë një ndeshjeje futbolli. Përmes një postimi, ai ka kritikuar ashpër simbolikën dhe qëllimin e vendosjes së flamurit të UÇK-së në atë kontekst duke vlerësuar se është bërë një përdhosje ndaj një simboli të shenjtë të luftës për liri.
Spahiu ka përmendur emrin e Nasim Haradinajt, ish-kryetar i OVL-UÇK-së duke e pyetur pse nuk ka reaguar ndaj kësaj ngjarjeje dhe duke e quajtur këtë një “deficit trimnie dhe patriotizmi”.
“Ku është Nasim Haradinaj me mbrojtë flamurin e UÇK-së që u përdhos në mes të Tiranës? Çka je ligë o Nasim?”, shkroi Spahiu.
Ai ka bërë thirrje që flamuri i UÇK-së të ruhet dhe të vendoset në një muze, aty ku i takon, dhe jo të përdoret për “show” në aktivitete sportive.
“Merrne atë flamur e vendoseni në muze ku e ka vendin, se nuk bëhet hajgare me gjëra të shenjta. Çka lyp flamuri i UÇK-së në stadium futbolli? Kjo nuk tregon asgjë tjetër pos deficit trimnie e patriotizmi,” shkroi ai më tej.
Sipas tij, kur një flamur si ai i UÇK-së vendoset në publik, ai duhet të mbrohet me jetë, përndryshe nuk duhet vendosur fare.
Spahiu gjithashtu kritikoi atë që e sheh si përpjekje për të imponuar simbolet dhe heronjtë e Kosovës në Shqipëri, ndërkohë që vetë Kosova ende nuk e ka përmbyllur projektin e saj shtetëror.
“Nuk mundesh një vendi sovran si Shqipëria me shku me ia imponu heronjtë e tuaj e simbolet e tua, dhe atë kush se, shqiptarët e Kosovës që akoma nuk e kanë përfunduar projektin e shtetit të vet, që kombëtaren e vet të futbollit akoma e quajnë vetëm ‘përfaqësuese’!”. /Kosova.info/
