Sot “histori suksesi”, Rama: Ky kryebashkiak ka ngrënë dru publikisht
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Forumin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonomisë Qarkulluese për pastrimin e zonave bregdetare, Himarën e ka përmendur si histori suksesi. Megjithatë nuk i ka kursyer ironitë për kryebashkiakun Robert Goro për të cilin tha se ka “ngrënë dru publikisht”. Kjo si duket sipas Ramës ka shërbyer për një zgjim të befasishëm nga gjumi i kryetarit të bashkisë dhe i një pune që është “pasqyrë për t’u marrë shembull”.
“Gjatë këtij viti është bërë një punë e jashtëzakonshme që është kurorëzuar me sezonin më shembullor turistik për sa i përket pastrimit përmes rikonceptimit të marrëdhënieve mes qeverisë dhe bashkive bregdetare, por edhe falë angazhimit shumë serioz të kryetarëve të bashkive. Dua të përmend Himarën, nuk e shoh kryetarin e bashkisë së Himarës, ka rëndësi se dua të përmend si histori suksesi dhe nuk do të çuditesha fare të mos ishte këtu sepse ka qenë gjithmonë prezent kur ka ngrënë dru publikisht, por shembulli i Himarës është një shembull i jashtëzakonshëm. I një zgjimi të befasishëm nga gjumi i kryetarit të bashkisë dhe i një pune që është pasqyrë për t’u marrë shembull nga të gjithë tanimë që tregon se sa e rëndësishme është kjo marrëdhënie dhe që secili të bëjë punën e vet”, deklaroi Rama.
