Sondazhet: Gjukanoviq dhe Millatoviq udhëheqin në garën për president të Malit të Zi

Qytetarët e Malit të Zi kanë votuar të dielën për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Sipas sondazheve, presidenti aktual, Millo Gjukanoviq, ka fituar më së shumti vota, 36.7 për qind, ndërsa kandidati i lëvizjes Evropa Tani, Jakov Millatoviq, ka fituar 27.8 për qind të votave.

Aktualisht, sipas sondazheve, në vendin e tretë është lideri i Frontit Demokratik pro-rus, Andrija Mandiq, me 19.2 për qind të votave.

Në garë janë edhe: Alleksa Beçiq, ish-kryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe udhëheqës i Demokratëve; Goran Danilloviq, kandidat i koalicionit Mali i Zi i Bashkuar; Draginja Vuksanoviq Stankoviq nga Partia Socialdemokrate dhe Jovan Joxhir Radulloviq, i njohur për numrin e madh të ndjekësve në mediat sociale.

Sipas Qendrës për Tranzicion Demokratik, pjesëmarrja në zgjedhje ka shkuar në 63.6 për qind.

Analistët besojnë se emri i fituesit do të bëhet i ditur në balotazhin që mund të mbahet më 2 prill, nëse të dielën asnjëri prej kandidatëve nuk fiton mbi 50 për qind të votave.

Presidenti aktual, Millo Gjukanoviq, është duke garuar kundër gjashtë rivalëve tjerë.

Gjukanoviq, 61-vjeçar, ka mbajtur pozitat më të larta në Qeverinë e Malit të Zi në tri dekadat e fundit.

Ai ka shërbyer gjashtë herë si kryeministër, përkatësisht prej vitit 1991.

Fitorja në këto zgjedhje, do t’ia siguronte atij mandatin e tretë si president.

Ai e ka shtyrë vendin drejt Perëndimit dhe anëtarësimit në NATO më 2017.

Mali i Zi, vend anëtar i NATO-s, ka rreth 625.000 banorë.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë pasur 542.154 qytetarë.

Go to TOP