Grupi Parlamentar “Fronti Evropian” takon ambasadorin e BE-së, ngre shqetësime për ligjin e përfaqësimit të drejtë

Deputeti turk në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar “Fronti Evropian” ka zhvilluar një takim zyrtar me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, njofton Kosova.info.

Sipas Muratit, në takim morën pjesë edhe koordinatorja e grupit parlamentar, Rina Ajdari, si dhe bashkëpunëtorë dhe zyrtarë të lartë të Delegacionit të BE-së.

Në fokus të bisedimeve ishin aktivitetet e grupit parlamentar, sfidat me të cilat përballet Kuvendi dhe, veçanërisht, përpjekja e shumicës qeverisëse për të miratuar ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të cilin Fronti Evropian e cilëson si jodemokratik.

Murat theksoi se gjatë takimit kanë paraqitur një sërë vërejtjesh lidhur me procesin e hartimit dhe miratimit të ligjit. Sipas tij, procedura është zhvilluar pa transparencë, pa përfshirjen e komuniteteve dhe pa informimin e duhur të deputetëve.

Ai shtoi se grupi parlamentar ka shprehur shqetësim edhe për shpërfilljen e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, mosrespektimin e parimit të Badinterit dhe shkeljen e dispozitave kushtetuese që garantojnë përfaqësimin e drejtë të komuniteteve.

Sipas Frontit Evropian, ligji nuk ofron mekanizma funksionalë për identifikimin e përkatësisë kombëtare, nuk përcakton kuota, nuk parashikon sanksione dhe nuk siguron mekanizma raportimi e mbikëqyrjeje.

“Nënvizuam se ky ligj nuk do të zgjidhë problemet e komuniteteve, por përkundrazi mund të thellojë pasojat negative ekzistuese”, ka deklaruar Murat pas takimit.

Fronti Evropian ka kërkuar që procesi të zhvillohet në përputhje me standardet demokratike, Kushtetutën dhe rekomandimet e institucioneve evropiane. /Kosova.info/

Go to TOP