Yamal: Ende nuk jam i gatshëm për 90 minuta
Ylli i Spanjës, Lamine Yamal, ka pranuar se nuk është ende në gjendje të luajë një ndeshje të plotë në Kupën e Botës 2026, ndërsa po rikuperohet nga një dëmtim në muskujt e pasmë të kofshës.
Spanja e nisi turneun me një barazim pa gola ndaj Kepi i Gjelbër, ku 18-vjeçari u aktivizua për 25 minuta, në paraqitjen e tij të parë pas gati dy muajsh mungesë.
Sulmuesi i Barcelonës theksoi se është i gatshëm të kontribuojë, por ende nuk mund të përballojë 90 minuta lojë.
“Jam mirë dhe ndihem në formë, por ende është herët. Nuk është momenti i duhur për një ndeshje të plotë, megjithatë mund të luaj aq minuta sa të vendosë trajneri,” u shpreh Yamal për televizionin publik spanjoll “TVE”.
Ai shtoi se dëshira për të qenë në fushë mbetet e madhe, edhe kur e di se nuk është në kapacitetin maksimal.
“Dua të jem në fushë dhe të ndihmoj ekipin, edhe nëse e di që nuk mund të luaj 90 minuta”, theksoi ai.
Yamal, i cili ishte një nga figurat kyçe në triumfin e Spanjës në Kampionatin Evropian 2024, pranoi se dëmtimi e ka bërë të mendojë edhe për Botërorin.
“Çdo lojtar mendon për Kupën e Botës kur ka një dëmtim. Por mjekët më thanë se do të jem gati dhe ja ku jam,” tha ai, duke shtuar se shpreson të shmangë dëmtimet në të ardhmen.
Duke komentuar barazimin në ndeshjen hapëse, Yamal theksoi se reagimi nuk duhet të dramatizohet, duke kujtuar se shumë skuadra kanë vështirësi në fillim të turneut.
“Është vetëm ndeshja e parë. Nuk duhet të bëhet dramë. Duhet të vazhdojmë përpara dhe të përqendrohemi te fitorja ndaj Arabisë Saudite,” shtoi ai.
