SOLI 2 – Sundimtari që erdhi nga mali: Një histori shpëtimi, dashurie dhe mirënjohjeje

Më 24 qershor, Pal Shtufi vizitoi një nga vendet më të veçanta në periferi të Prishtinës – strehimoren e qenve “Prishtina Dog Shelter”, e menaxhuar me dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm nga Mentor Gashi. Që nga viti 2012, Gashi i është përkushtuar shpëtimit dhe kujdesit ndaj qenve të braktisur duke e kthyer një pjesë të malit në një strehë të përkohshme për qindra qen që ndryshe do të mbeteshin në rrugë, të uritur dhe të sëmurë.

“Nuk kalon ditë pa më rënë telefoni për ndonjë qen në hall,” rrëfen Mentori, i cili vetë shkon, i merr dhe i sjell në strehimore duke siguruar që asnjë krijesë e pambrojtur të mos lihet pas dore.

Nga kjo vizitë, lindi edhe një histori e bukur: Pal Shtufi adoptoi një prej qenve të shpëtuar – një qen që ndodhej në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe që, pa ndërhyrjen e Mentorit, nuk do t’i kishte mbijetuar edhe dy-tri ditë të tjera. Ai e quajti Soli 2 – Sundimtari dhe e përshkroi si një qen që ka hyrë në jetën njerëzore, pa e humbur shpirtin e tij shtazor.

“Prishtina Dog Shelter duhet përkrahur nga të gjithë ne,” u shpreh Shtufi duke theksuar rëndësinë e mbështetjes publike dhe institucionale për këtë strehimore e cila, për shumë qen, është vendi i vetëm ku mund të jetojnë me dinjitet.

Për më shumë detaje dhe emocionin e ditës – flasin vetë fotografitë që Shtufi ndau me ndjekësit e tij. /Kosova.info/


Go to TOP