Sllovenia zgjedh presidenten e parë femër, e urojnë Osmani e Kurti

Sllovenia zgjodhi presidenten e parë femër të republikës në histori, pasi, në raundin e dytë të sotëm të zgjedhjeve presidenciale, Nataša Pirc Musar ka mundur kundërshtaren Anžet Logar, e cila fitoi 46,14 për qind të votuesve, me 53,86 për qind të votave, sipas rezultateve jozyrtare të 99 për qind të të gjitha votave të numëruara, shkruan gazeta sllovene “Delo”.
“Faleminderit të sinqertë për të gjithë ata që dolën në votim. Përgëzoj Anžet Logar, i uroj suksese në rrugëtimin e tij të mëtejshëm. Kemi kaluar pesë muaj së bashku, kemi dëshmuar se është e mundur të komunikojmë me respekt. Shpresoj që Anže Logar ta ndalë këtë retorikë, Sllovenia ka nevojë për njerëz të tillë, ka nevojë për politikanë të tillë”, tha presidentja e sapozgjedhur e republikës në fjalimin e saj të parë.
Presidenten e sapozgjedhur e kanë uruar shumë personalitete ndër ta edhe krerët e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Sllovenia tashmë për herë të parë do ta ketë në krye të saj një presidente grua” ka shkruar Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Osmani, e ka uruar homologen e saj, duke thënë se pret që së bashku të punojnë për partneritetin e palëkundur mes Kosovës dhe Sllovenisë.

“Ndërsa merrni këtë rol të rëndësishëm, mezi pres të punoj ngushtë me ju për të ndërtuar partneritetin e palëkundur Kosovë-Slloveni, të bazuar në vlerat tona të përbashkëta demokratike”,ka shkruar Osmani në Twitter.

Poashtu edhe kryeministri, Albin Kurti, e ka uruar presidenten e re të Sllovenisë, Nataša Pirc Musar.

Kurti, ka thënë se mezi pret që të punojnë së bashku për forcim të marrëdhënieve dypalëshe, thellim të bashkëpunimit ekonomik e sundim të ligjit.

“Urime për Natasha Musar, gruaja e parë që zgjidhet Presidente e Republikës së Sllovenisë. Mezi pres të punojmë së bashku për të forcuar marrëdhëniet tona dypalëshe, për të thelluar bashkëpunimin tonë ekonomik dhe për të promovuar vlerat tona të përbashkëta si shtete demokratike të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Go to TOP