Skenderi për seancën e buxhetit: Paraqitje elektorale
Luftë mes pozitës e opozitës e ka cilësuar profesori universitar Nagip Skenderi seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku u trajtua Projektligji për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.
“Mendoj që më shumë jemi duke parë një debat luftërash në mes partisë në pushtet dhe opozitës. Qeveria mundohet ta arsyetoj në mënyrë argumentuese buxhetin, e cila sipas tyre ka rritje ekonomike dhe sociale. Nga ana tjetër kemi kritikat shumë me vend të partive opozitare që edhe nga buxhetet e kaluara edhe në këtë buxhet, nuk janë adresuar të gjitha aspiratat ekonomike”, ka thënë Skenderi.
Ai e ka cilësuar seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës se më shumë ka qenë paraqitje elektorale sesa debat argumentues. Ai ka kritikuar deputetët për mos pjesëmarrje në seancë gjatë gjithë kohës dhe prezencën e tyre vetëm kur kanë fjalime.
“Konsideroj që do të duhej një harmonizim permanent, që të jemi transparent me të gjitha shpenzimet buxhetore nga të hyrat që i kemi, se ku po planifikohen e realizohen dhe cili është feedbacku i tyre ekonomik dhe social”, ka thënë profesori.
