Skandaloze: Polonia akuzon Gjermaninë se po do ta bëjë BE-në “Rajh të Katërt” – ç’është ky term

Zëvendëskryeministri i Polonisë dhe kryetari i partisë në pushtet, Jarosław Kaczyński, ka thënë se Gjermania po përpiqet që ta shndërrojë Bashkimin Evropian në “rajh të katërt gjerman”.

Duke folur për gazetën polake të së djathtës ekstreme, “GPC”, kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi (PiS) tha se disa shtete “nuk janë entuziaste për perspektivën e një rajhu të katërt gjerman që po ndërtohet në bazën e BE-së”, shkruan The Guardian.

“Nëse ne, polakët, do të pajtoheshim me këtë lloj nënshtrimi të ditëve moderne, do të degradoheshim në mënyra të ndryshme”, tha zyrtari i lartë polak. Ai shtoi se Gjykata Evropiane e Drejtësisë po përdoret si instrument për ide federaliste.

Polonia është përfshirë në një mosmarrëveshje të gjatë me Bashkimin Evropian, sidomos për ndryshimet në sistemin gjyqësor, të cilat janë shtyrë nga partia në pushtet që nga viti 2015.

Bashkimi Evropian këtë javë tha se do të fillojë masa ligjore kundër Polonisë për shkak të injorimit të ligjeve të BE-së dhe minimit të pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Në anën tjetër, Polonia e ka akuzuar bllokun për “centralizëm burokratik”.

Gjatë një vizite të kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz, këtë muaj në Varshavë, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, tha se përkrahja e qeverisë së tanishme në Berlin për federalizmin e BE-së është “utopike dhe prandaj e rrezikshme”.

Çfarë është “Rajhu i Katërt”?

“Rajhu i Katërt” (gjermanisht: “Viertes Reich”) është term hipotetik për pushtet ose perandori naziste, që do të ishte pasardhëse e “Rajhut të Tretë” të diktatorit famëkeq nazist, Adolf Hitler. “Rajhu i Tretë” ka qenë në fuqi në Gjermani në periudhën mes viteve 1933-1945.

Ky term është përdorur gjithashtu për t’iu referuar ringjalljes së mundshme të ideve naziste.

Go to TOP