Sindikata e Policisë kërkon pagesën urgjente të ndërrimeve të natës dhe orëve shtesë

Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vonesat në pagesën e ndërrimeve të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë duke theksuar se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien dhe motivimin e pjesëtarëve të policisë.

Në prag të festave, policët nuk kanë marrë ende pagat e merituara për punën jashtë orarit, çka sipas Sindikatës, po krijon pasiguri dhe vështirësi në planifikimin e angazhimeve familjare dhe personale të zyrtarëve policorë. Sindikata nënvizon se përkundër përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të pjesëtarëve të policisë, deri më tani nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga Qeveria lidhur me këtë çështje.

“Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon nga Ministria e Financave që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura, duke siguruar kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë, në përputhje me të drejtat ligjore të zyrtarëve policorë,” thuhet në reagimin e Sindikatës.

Tutje, Sindikata ka bërë të ditur se do ta ndjekë nga afër këtë çështje dhe nuk do të ndalet derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të drejtë të policëve që çdo ditë angazhohen për sigurinë e qytetarëve.

“Sindikata e Policisë së Kosovës do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e zyrtarëve policorë dhe të kërkojë zgjidhje të shpejta dhe të qëndrueshme për këtë problem,” përfundon reagimi. /Kosova.info/


Go to TOP