Sindikalistët kërkojnë sqarime nga ministri Murati për ekzekutimin e 100 eurove për sektorin privat

Kryerat i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka kërkuar sqarime nga ministri i Financave, Hekuran Murati rreth mjeteve shtesë prej 100 eurosh për punëtorët e këtij sektori.

Më 21 prill ishte hapur aplikimin për marrjen e kësaj vlere në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, por edhe pas 20 ditësh këto mjete ende nuk janë ekzekutuar.

“Ne e kuptojmë se të gjithë ata që nuk kanë të dhëna të sakta, shkaktojnë problem, por shtrohet pyetja, pse për ata te cilët këto të dhëna i kanë të sakta nuk lëshohen mjetet? Ministri Murati kishte deklaruar se do të formohet komisioni për verifikimin e aplikuesve, dhe ne mendojmë që verifikimi le të bëhet për ata që kanë mungesën e te dhënave, por për ata që janë në rregull kjo vonesë po shkakton nervozizëm, andaj ju thërrasim që ata të cilët kanë bërë aplikimin në rregull të bëhet shpërndarja e mjeteve të cilat iu premtuan nga Qeveria”, ka thënë Azemi.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ditë më parë kishte hapur formën e aplikimit për mbështetje për punëtorët që nuk marrin pagë nga buxheti i shtetit.

Sipas MFPT-së, kusht për kualifikim për mbështetje nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar.

Ata që kanë pagë më të lartë se 1,000 euro dhe punëtorët që nuk kanë qenë të regjistruar në muajin shkurt, nuk mund të përfitojnë këto subvencione nga shteti.


Go to TOP