Si mund ta kërkojë Albini votën e rugovistëve derisa në heshtje ishte dakord me vrasjet politike!

Shkruan: Idriz MORINA

Si mund të kërkojë votën e rugovistëve apo të krahasohet nga disa persona apo edhe në media thjeshtë si temë, Albini Kurti me presonalitetin historik Ibrahim Rugovën?

Si mund të ndodhë kjo, apo të hamendësohet krahasimi përderisa kur njerëzit më të rëndësishëm të institucioneve, dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Rugovës vriteshin nga Serbia, vriteshin edhe nga kundërshtarët e tij politik, Albin Kurti, dukej se ishte i kënaqur me këtë goditje të brendshme.

– Pse? Kur u intervistua në zyrën e tij të Parlamentit Studentor në Velani, ku e mbante portretin e Çe Guevarës, sipër tavolinës së punës, pak centimetra larg qendrës së saj, refuzoi të gjitha pyetjet që kërkonin reagim për vrasjet politike dhe rrezikimin e një gjendje vëllavrasjeje, kur kishte ndodhur atentati ndaj Ahmet Krasniqit, Sabri Hamitit, Enver Malokut dhe raste të tjera dhune!

Kur vdiq Rugova, reagimi i lëvizjes së tij, që udhëhiqej nga vetë Kurti, ishte shokues, që shkonte aq larg, sa e mallkonte Thaçin, përveç akuzave që ia bënte se kishte marrë pjesë në varrimin e një kolaboracionisti!

Sot, po mundohet për herë të parë, jo vetëm duke vendosur buqeta lulesh dhe duke iu përkulur tek këmbët (e shtatores), të marrë vota nga elektorati i tij duke u shtirë se e çmon presidentin Rugova, historinë e krijuar nga ai!

Por, ai nuk mund të mashtrojë më gjatë!

Është i njëjti që vazhdon të vjellë helm, thuaja në çdo fjalim të tij në tubimet elektorale, edhe për vitet që Rugova udhëhoqi LDK-në dhe Kosovën si president pas luftës, deri më 21 janar 2006?!

Jo vetëm akuza, por duke i dhënë imazhin e shkatërruesit të Kosovës.

Fjalitë e tij dhe thuaja të të gjithë akuzuesve janë se nuk e kanë diferencuar asnjëherë, atë periudhë sa ishte Rugova president dhe kryetar i LDK-së deri në ditën e shkuarjes në amshim!

Ishte pikërisht Rugova që e bënte ndryshimin dhe e zhdavariste mjegullnajën diplomatike dhe propagandistike antiKosovë, të Serbisë dhe mbështetësve të saj, që dëshironin t’i barazonin serbët si viktima me shqiptarët, duke tentuar ta barazojnë periudhën e pasluftës për serbët me gjenocidin që shqiptarët e përjetuan gjatë luftës, dhe krimet tjera nga më të ndryshme sistematike, represive dhe terroriste të kryera nga Serbia, për më shumë se 10 vjet!

Ishte imazhi i Rugovës që nuk mund ta tjekalonin as mediat, dhe as diplomacia perëndimore, kundrejt një rryme që po tentonte ta përmbyste imazhin e shqiptarëve!

Si mund ta bëjë këtë barazim Kurti dhe të tjerët, duke e barazuar dhe paraqitur LDK-në e Rugovës si shkatërrimtare për 20 vjet, fjalor ky i përdorur nga Kurti dhe të tjerët që nga fushata e vitit 2019!, derisa LDK dhe vetë Rugova ishin cak i ekzekutimeve, i vrasjeve politike, i dhunës së paparë dhe kërcënimeve ndaj saj në luftë dhe pas saj, që zgjati të paktën edhe në vitin 2005 nga kundërshtarët politik?

Por, kjo ndodhë, sepse siç e sqarova në fillim Kurti kishte dakordësi të heshtur me vrasjet politike, kurrë nuk i dënoi ato as pas daljes nga burgu, por gjente kohë, mundësi dhe zbrazje mllefi, që ditët e homazheve, ditën e varrimit të tij, të zbulonte terë urrejtjen e tij për Rugovën!

Po ashtu kjo ndodhë sepse Kurti duke e urryer LDK-në dhe Rugovën, sikurse mentorët e tij Qosja dhe Demaçi, dëshiron ta poshtërojë historinë e LDK-së, duke e identifikuar me PDK-në e AAK-në! Një përpjekje identifikimi e rrejshme dhe manipuluese e tij dhe e ekipit të tij propagandistik i shkollës neomarksiste e ‘neoenveriste’!

Ai kurrë nuk është distancuar as nga ajo deklaratë e dhënë kur vdiq Rugova, dhe që u nderua mahnitshëm nga miliona shqiptarë, dhe diplomacia botërore dhe as kur ka kërkuar votën e elektoratit që quhet rugovist!

“Në varrimin e Rugovës …nuk ishte Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk ishin edhe shumë bashkëluftëtarë e atdhetarë të cilët e dinin dëmin politik që Kosovës i bëri Rugova e rugovizmi… Ti edhe Ibrahim Rugova e keni vetëm një dallim, një dallim të vogël. Ai ishte kolaboracionist sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më…”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e VV-së.


Go to TOP