Në Maqedoninë e Veriut vazhdon fushata parazgjedhore

Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Maqedoni të Veriut. Kandidatët për president dhe ata për deputetë, e kanë intensifikuar fushatën zgjedhore.

Në Maqedoninë e Veriut vazhdon fushata për zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale. Drejtuesit e koalicionit VLEN vizituan sot Odën Ekonomike Veriperëndimore.

“Ndryshimi vlen sepse bizneset tona vlejnë, bizneset tona vlejnë sepse zhvillimi ekonomik është i rëndësishëm për të rritur mirëqenien e qytetarëve. Besojmë fuqishëm që pas 8 majit, koalicioni VLEN si pjesë e qeverisë do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të bizneseve tona me qëllim të ndaljes së këtij ekzodusi të rinisë tonë dhe qytetarëve tonë drejt perëndimit”, tha Bilall Kasami nga Koalicioni VLEN.

E nga Fronti Evropian, Bujar Osmani, në një konferencë për medie, tha se opsion i palëkundur për koalicionin e tyre mbetet rruga euroatlantike.

“Fronti Europian ishte dhe mbetet opsioni më i palëkundur që skicon rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut, si e vetmja trajektore që na shpie në të ardhmen e sigurt. Derisa VMRO-DPMNE për një dekadë e bllokoi rrugën e anëtarësimit drejt NATO-s dhe BE-së, ne ishim ata që e zgjidhëm nyjën, dhe sot RMV është në NATO dhe një hap para hyrjes në BE”, tha Osmani.

Fushatën e tyre për zgjedhjet e balotazhit të 8 majit, kandidati për president Stevo Pendarovski, pret që Maqedonia e Veriut të bëjë revolucion demokratik në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Kurse, kandidatja e opozitës Gordana Siljanovska, pret që balotazhi të jetë një ditë frymëzimi për ta sjellë ndryshimin në Maqedoninë e Veriut.

Go to TOP