Shteti japonez nderon Nezakete Hakajn
Nezakete Hakaj, presidente e Shoqatës së Alumni të JICA-s, është nderuar me mirënjohje nga ministri i Punëve të Jashtme të Japonisë. Ajo është vlerësuar për udhëheqjen e saj afatgjatë të shoqatës në Kosovë dhe për rolin kyç në forcimin e lidhjeve ndërmjet popullit të Japonisë dhe të Kosovës.
Në emër të ministrit të Punëve të Jashtme të Japonisë, Ambasada e Japonisë në Kosovë ndau mirënjohje për vitin fiskal japonez 2025 për Nezakete Hakaj, presidente e Shoqatës së Alumnit të JICA-s, e njohur si Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Kosovë.
“Përmes udhëheqjes së saj, Hakaj ka qenë thelbësore në krijimin e lidhjeve të qëndrueshme ndërmjet popullit të Japonisë dhe Kosovës. Përpjekjet e saj kanë siguruar që njohuritë dhe përvoja e fituar në Japoni të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës, duke thelluar më tej marrëdhëniet dypalëshe”, tha Iwama Kiminori, ambasador i Japonisë në Kosovë.
Hakaj u vlerësua për udhëheqjen afatgjate të Shoqatës së Alumnit të JICA-s në Kosovë, përmes së cilës ajo ka luajtur një rol kyç në forcimin e lidhjeve ndërmjet njerëzve në Japoni dhe Kosovë.
Mirënjohjet e ministrit të Punëve të Jashtme të Japonisë ndahen çdo vit nga Ministria e Punëve të Jashtme e Japonisë për individë dhe grupe me arritje të jashtëzakonshme në fusha ndërkombëtare. Në vitin fiskal 2025, mirënjohjet iu ndanë 173 personave dhe 58 grupeve në mbarë botën.
