Shteti gjerman dhuron pajisje për Policinë e Kosovës

Policia e Kosovës ka marrë dhuratë nga Qeveria e Gjermanisë pajisje profesionale për mbikëqyrje dhe kontroll të kufirit. Ky donacioni përmban 10 motorë kufitarë, 7 laptopa, 30 kompjuterë dhe gjashtë kamera dore për vëzhgim terreni.

Të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së këtij donacioni me vlerë prej rreth gjysmë milion euro, kanë qenë edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ky i fundit e falënderoi qeverinë gjermane për mbështetjen, teksa tha se këto pajisje do të ndihmojë në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, me mallra të kontrabandës etj.

“Shteti gjerman i ofron ndihmën e nevojshme policisë së Kosovës në mënyrë që ajo të jetë efikase në kryerjen e detyrave të saj. Policia ka një bashkëpunim të mirë me ambasadën gjermane, pasi në korrik është nënshkruar një marrëveshje që ka për synim luftimin e lëvizjeve te paligjshme dhe aktivitetet e paligjshme”, ka thënë Sveçla.

Ndërkaq, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se bashkëpunimi me Policinë e Kosovës ekziston që dy dekada.

“Ky donacion shpresoj se do të shërbejë për sigurinë e të gjithëve. Bashkëpunimi ynë në luftimin e imigracionit, krimit të organizuar dhe korrupsionit është i ngushtë. Këto çështje janë përmendur edhe në Samitin e Tiranës. Fokusi ynë do të jetë në luftimin e këtyre dukurive”, ka thënë Rohde, i cili ka shtuar se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë do të vazhdojë edhe më tutje.

Go to TOP