ShSPMKK denoncojnë parregullsitë, paralajmërojnë veprime rrugës ligjore

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës (ShSPMKK) kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me shumë probleme dhe parregullsi që e shoqërojnë Muzeun Kombëtarë të Kosovës që nga paslufta e deri më sot.

Ata thonë se me ardhjen në krye të MKRS, të Ministrit z. Hajrulla Çeku, shpresuam që shumë çështje të adresuara me herët të gjejnë zgjidhje, por edhe përkundër përpjekjeve tona të vazhdueshme për ta takuar, ai nuk ka treguar gatishmëri ti dëgjoj pakënaqësitë tona.

Sipas tyre disa nga çështjet dhe shqetësimet e ngritura nga punëtoret e këtij institucioni kanë të bëjnë siç theksojnë me anarkinë e vazhdueshme në Muzeun Kombëtar të Kosovës si; mungesa e transparencës, mos llogari dhënia, shkeljet e akteve normative, etj.

“Mos përfshirja dhe anashkalimi i stafit kryesor profesional e shkencor në përgatitjen e dokumenteve si; draft-ligji për muzetë, strategjia, rregulloret dhe statuti. Mungesa e kritereve profesionale e shkencore në MKK, si dhe degradimi i titujve më të lartë shkencor dhe profesional. Mos vazhdimi i kontratave për punëtorët me MSHV në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe vonesat e pagesave për të angazhuarit tjerë. Gjendja e rëndë në shkallë emergjente e koleksioneve të MKK-së, përfshirë këtu edhe procesin e inventarizimit. Tejkalimi i kompetencave, mos aprovimi i projekt-propozimeve, presioni dhe ndërhyrja e Këshillit Drejtues të MKK-së në të drejtat dhe detyrimet e stafit profesional të MKK-së, në kundërshtim me Ligjin për Zyrtar Publik dhe Statutin aktual të MKK-së. Angazhimi i vazhdueshëm i një grupi të vogël nga personeli i MKK-së i përkrahur nga niveli drejtues në MKRS, pa plotësimin e kritereve ligjore si; zëvendësues i drejtorit të MKK-së, pjesëmarrja permanente nëpër komisione të ndryshme vlerësuese, pjesëmarrje në grupet punuese për hartimin e akteve ligjore dhe koncept dokumentet strategjike, etj. Caktimi i disa anëtarëve të Këshillit Profesional, pa i respektuar kriteret bazë të cilat janë; grada shkencore, përformanca, përvoja e punës, etj. Mungesa e një akti nënligjor për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Mungesa e një udhëzimi administrativ për organizimin e punës në Këshillin Profesional të MKK-së si dhe shuarja e sektorëve dhe pozitave drejtuese në MKK”, janë disa nga shqetësimet e lartcekura të kësaj sindikate.

“Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës, përmes kësaj shkrese ri konfirmon edhe një herë, se në rast të mosplotësimit të kërkesave të lartcekura do të vazhdojmë të kërkojmë respektimin e kërkesave tona institucionale, përmes rrugës ligjore”, theksoi në një letër publike Kryesia e Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës (ShSPMKK). /Kosova.info/

Go to TOP