Kombëtare

Shqipëri: Dy vëllezër ‘rrihen’ me rripa të pantallonave në emision

Degjeneron me ofendime dhe goditje me rripa, debati mes dy vëllezërve të ftuar në rubrikën “Shihemi në gjyq” në emisionin “E Diela Shqiptare”.

Eduardi dhe Gramozi kanë konflikte me njëri-tjetrin që prej vitit 2008. Në atë kohë, Eduardi mori një kredi prej 15 milionë lekësh në mënyrë që t’ia jepte vëllait për të investuar në biznesin e tij.

Ende sot, kjo kredi nuk është paguar nga Gramozi, ndaj për shkak të përqindjeve, ajo ka shkuar në 30 milionë lekë. Eduardi kërkon nga vëllai që ta paguajë këtë kredi, pasi banka e ka kontaktuar disa herë dhe i mund t’ia marrë pronat që ka.

Duke mos e gjetur gjuhën e përbashkët, ky konflikt degradoi. Të dy vëllezërit hoqën rripin e pantallonave që të godisnin njëri-tjetrin. Në këtë moment ka ndërhyrë dhe stafi i emisionit në mënyrë që vëllezërit të mos përplaseshin me njëri-tjetrin.

Eduardi: Vij nga Lushnja për një problem shumë serioz e të madh që më ka bërë ky lloj monstre qe më ka dalë para syve.

Gramozi: Nuk e lejoj të më flasë në atë lloj gjuhe sepse nuk është hasmi im, por është një nga vëllezërit e mi.

Eduardi: Ishim vëllezër, tani nuk jemi më.

Gramozi: Nuk e kam mashtruar dhe nuk kam ndërmend ta mashtroj.

Eduardi: Ti më ke shkatërruar familjen, më ke groposur mua. Në vitin 2004-2005 ky lloj kishte një biznes dhe unë fillova të punoj tek ky për të mbajtur familjen. Në 2008 më thotë ky që do vish të hedhësh një firmë, të marr një kredi sepse nuk është problem. Ishte biznesmen, puna po i ecte dhe i besova. Shkuam tek banka dhe nuk lexova çfarë kishte shkruar, mora dhe gruan me vete. Nuk e lexova sepse e besoja, ai më mashtroi.

Gramozi: Po respektoj radhën sepse jemi njerëz, por të lutem ofendimet t’i ndalojë se po e nisëm me ofendime një Zot e di se ku do dalim.

Gramozi shprehet se nuk e mohon faktin që Eduardi ka marrë 15 milionë Lekë në bankë për atë dhe i thotë vëllait që t’i vijë zor që e ka sjellë tek “Shihemi në Gjyq” për 15 milionë Lekë të vjetra. Ai tregon se kishte një biznes së gjësë së gjallë që i ecte shumë mirë deri në vitin 2009 dhe punëtorët e tij merrnin kredi në bankë për të.

Eduardi: Zonja Eni ky më ka shkatërruar jetën.

Eni Çobani: E dëgjoni që e ka thënë disa herë që i ke shkatërruar familjen? Të bën përshtypje ndopak?

Gramozi: Më është pirë gjaku, mua s’më bën përshtypje më për gruan time, e për fëmijët e mi, jo më për këtë. Unë jam debitor tek ky zotëria 15 milionë të vjetra kredi.

Eni Çobani: Jo je 30 milionë Lekë, sepse kur nuk e paguan kredinë rritet përqindja. Tani ia paguan këto 30 milionë?

Gramozi: Bankat janë grabitqare.

Gramozi tregon se për momentin nuk ka para dhe nuk ia paguan dot borxhin. Ai tregon edhe arsyen pse nuk i eci më biznesi. Në 2010 ka bërë një aksident të rëndë në Llogara ku për dy vite me radhë luftoi me jetën, duke bërë edhe shpenzime të shumta.

Gramozi: Jam akuzuar për 440 mijë Lekë të vjetra false dhe jam dënuar me 5 vite dhe 6 muaj burg. I kam bërë 4 vite, një vit ma fali amnistia dhe ca të tjera i fitova gjatë rrugës duke iu lutur të famshmëve, gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve dhe i thoja unë nuk jam për këtu, jam për biznes. Në kokën time ka vetëm ide biznesi dhe nuk më dëgjoi njeri. 2 vite nëpër spitale, 4 vite burg, 6 vite, ku t’i gjeja unë klientët që klientët e mi thanë inshallah vdes, kështu del logjika dhe nga 501 milionë Lekë të vjetra, unë nuk gjej as 1 milion Lekë të vjetra. Kisha dhënë mall likuidim, jep-merr, ata përfituan nga rasti dhe nuk m’i kanë kthyer.

*Fillon sherri mes dy vëllezërve*

Eni Çobani: Ja të tilla janë debatet të cilat degjenerojnë më pas në të tilla reagime që nuk janë normale, as etike, kërkoj ndjesë për këtë situatë të përkeqësuar.

Eduardi: Ma shkatërrove familjen, ma shkatërrove…

Eni Çobani: Nuk është forma e duhur me të cilën ju duhet të komunikoni, jeni vëllezër, ju lutem.

Eduardi: Ik se nuk është vëlla ky palaço.

Eni Çobani: Zoti Gramoz, ju jeni njeriu i cili në një formë apo në një tjetër e keni sjellë këtë shqetësim. E kuptoj që dhe juve iu janë bërë shumë probleme gjatë jetës, por ky borxh duhet larë dhe do ju lutesha shumë që të na jepnit zgjidhjen.