Italia konfirmohet e para, Zvicra nuk kualifikohet direkt

Italia e para e Grupit A. Nuk kishte dyshime por sot zyrtarisht të kaltërit konfirmohen si skuadra që kualifikohet e para nga Grupi pas fitores 1-0 ndaj Uellsit. Skuadrës së Mancinit i nevojitej edhe barazimi e megjithatë arritën të mposhtnin Uellsin duke e mbyllur këtë faze me 3 fitore në tre ndeshje. Eshtë një rekord më vete edhe fakti që prej 10 ndeshjes Italia nuk pëson gol dhe këtë e tregoi edhe ndeshja në “Olimpico”.

Pavarësisht ndryshimeve në formacion, të kaltërit imponohen edhe pse jo me shkëlqimin e dy ndeshjeve të para ku golin deçiziv e shënoi Pessina në debutim në këtë Europian në minutën e 39’ me një devijim pas pasimit në një goditje dënimi.

Pjesa e dytë u bë edhe më e lehtë për Italinë pasi Ampadou doli me të kuq për një ndërhyrje të rëndë ndaj Bernardeschit që gjithsesi nuk e shtyu skuadrën e Mancinit të shënonte më shumë. 1-0 përfundoi ndeshja, rezultat që nuk e ndihmoi Zvicrën të kalonte direkt në 1/8 edhe pse fitoi me Turqinë 3-1.

Helvetët që vinin pas dy ndeshjeve të dobëta, treguan më të mirën duke mposhtur Turqinë por mbetet keqardhja për një gol të pësuar që mund të ndryshonte shumë situatën.

Pas një nisje shumë të mirë të turqve, Zvicra mori frenat e lojës në dorë dhe menjëherë shënoi me Seferoviç në 6’. Kaq mjaftoi që ekipi të çlirohej dhe më pas Shaqiri të dhuronte spektakël me dy gola të tjerë. I pari një supergol në 26’ me të djathtën nga jashtë zone ndërsa tjetri në 68’ në një kundërsulm të skuadrës. Turqia gjeti edhe golin e nderit në këtë Europian me Kahveçi në 62’ që më shumë prishi punë për Zvicrën sesa ndryshoi ndeshjen.

Gjithsesi, fati i Grupit A u vendos, Italia kalon në 1/8 si e para, Uellsi e dyta ndërsa Zvicra ka shumë shanse që të kualifikohe si e treta më e mirë dhe duhet të presë për rezultatet e ndeshjeve të tjera në Grupe.

Go to TOP