Shqetësime mbi shkallën e ulët të përfaqësimit të grave në jetën politike dhe publike

Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e grave në Kosovë theksuan të premten se gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në jetën politike dhe publike, dhe se ato që janë të angazhuara në këto fusha përballen shpesh me diskriminim dhe gjuhë të urrejtjes.

Këto shqetësime u ngritën gjatë një takimi këshillues të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore dhe Qendra e Kosovës për Studime Gjinore, me synim përafrimin e politikave për avancimin e të drejtave të grave në Kosovë.

“Rrugëtimi politik dhe publik është i vështirë për gratë; gjuha e urrejtjes dhe pengesat janë të ashpra, ndërsa gratë që përballen me nënçmime janë më të ekspozuara ndaj keqtrajtimit verbal dhe shpesh të sofistikuar,” tha Edi Gusia nga Agjencia për Barazi Gjinore e Kosovës.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën thuhet se gratë ende mbeten të nënpërfaqësuara dhe përbëjnë një numër të pamjaftueshëm në poste të larta. Gjithashtu theksohet se gjuha diskriminuese dhe sulmet verbale ndaj grave në sferën publike, përfshirë parlamentin, vazhdojnë të jenë problematike.

Nënkryetarja e parlamentit, Saranda Bogujevci, theksoi se, pavarësisht përparimeve në rolin e gruas, ende ka punë për të bërë, veçanërisht në ndryshimin e mentalitetit. “Nëse synojmë të eliminojmë pabarazinë, duhet të fokusohemi më shumë në këtë aspekt. Kohët e fundit kemi parë sulme ndaj grave në politikë dhe sferën publike, fatkeqësisht të kryera kryesisht nga burra. Është detyrë e jona të sigurohemi që veprimet e tilla të mos dekurajojnë gratë dhe vajzat e tjera të përfshihen,” tha ajo.

Luljeta Demolli nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore nënvizoi se raporti i Komisionit Evropian evidenton përgjegjësinë e institucioneve për promovimin e barazisë gjinore, duke e konsideruar të domosdoshme investimin shtetëror për zbatimin e saj jo vetëm në nivel ligjor, por edhe në praktikë.

Demolli shtoi se, megjithëse ligjet e Kosovës garantojnë barazinë gjinore, zbatimi i tyre mbetet në nivele të ulëta. Ligji për zgjedhjet kërkon një kuotë gjinore prej 30% gra në parlament, ndërsa ligji për barazinë gjinore parasheh përfaqësim prej 50%. Harmonizimi i këtyre ligjeve është theksuar si i domosdoshëm nga organizatat e shoqërisë civile.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të Kosovës, miratuar në qershor të vitit të kaluar, la në fuqi kuotën prej 30%. Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e ka dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar këtë mospërputhje, duke vlerësuar se kuota aktuale trajton gratë në mënyrë të pabarabartë.

Organizatat që mbrojnë barazinë gjinore shprehin shqetësim për përfshirjen e pamjaftueshme të grave në politikë dhe vendimmarrje, duke bërë thirrje për ndryshim kulturor që mbështet zhvillimin demokratik të vendit.

Go to TOP