Ali Ahmeti: Ndërhyrja nga Kosova në zgjedhje, ka një kosto të lartë për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka deklaruar se Kosova ka një detyrim moral dhe kombëtar për të ngritur zërin dhe për të mos pranuar rrezikimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, Ahmeti theksoi se ndërhyrjet nga Shqipëria ose Kosova nuk janë të dobishme dhe kanë një kosto të lartë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Ai shpjegoi se ndërhyrja në zgjedhje nga Kosova përbën një barrë për shqiptarët në këtë vend.
“Nuk është e drejtë që të ndërhyhet, as nga Shqipëria, as nga Kosova, dhe as ne në Maqedoninë e Veriut të ndërhyjmë në proceset e tyre politike. Ata që jetojnë dhe veprojnë atje i njohin më mirë rrethanat dhe e dinë si të zgjidhin problemet. Populli që jeton atje e di se kush i përfaqëson më mirë shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, ashtu si edhe shqiptarët këtu në Maqedoninë e Veriut,” tha Ahmeti.
Ai shtoi se çdo ndërhyrje mund të shkaktojë fërkime dhe mospajtime ndërmjet politikanëve të vendeve përkatëse, qoftë në Shqipëri apo Kosovë.
“Ja një shembull: Artan Grubi është zëvendësuar me Ivan Stoilkoviqin, një ministër për Sistem Politik dhe Përgjegjës për Komunitetet. Stoilkoviqi është mik i Putinit dhe Vuçiqit, çka e pranon dhe madje e promovon. Ky është pasojë e mosnjohjes së situatës në Maqedoninë e Veriut, dhe ndërhyrjet nga Kosova kanë një kosto për shqiptarët e këtushëm,” tha Ahmeti.
Ahmeti i bëri thirrje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut të ngrihen në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe përfaqësimit etnik, duke theksuar se kjo është një çështje që përfshin të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe ata në Shqipëri. Kushtetuta e Shqipërisë, sipas tij, obligon institucionet që të reagojnë ndaj padrejtësive të shkaktuara ndaj bashkëkombësve të tyre në Maqedoninë e Veriut, Serbi apo Mal të Zi.