Shpërthimi i Enverit në mbledhjen e Byrosë në vitin 1982: Mehmet, çështja se ti nuk doje të më shqetësoje mua, nuk hahet, pse ti e pyete një shok dhe ky ishte…

Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj.

Duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh:

“Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI QENDROR                                                              

-Sektori i Përgjithshëm- 

PROCES – VERBAL I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE 17 E 18 DHJETOR 1981

Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.

Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, vazhdo.

SHOKU MEHMET SHEHU: Pyetja tjetër. A e keni kuptuar ju se ky gabim e ka dëmtuar dhe e dëmton Partinë dhe do ta dëmtonte atë më shumë, në qoftë se do të vazhdonte? Sigurisht që e kam kuptuar dhe e kam kuptuar thellë bile. Kjo më nuk do të ndodhë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po rrjedhimi i këtij kuptimi është qëndrimi që mbani ju këtu, shoku Mehmet. Ne kemi me ju një orë të tërë me tre pyetje. Në qoftë se e paske kuptuar, kështu siç thoni, dhe e drejtë është që kështu ta kuptoni, se nga ky qëndrim është dëmtuar Partia, atëherë është i përshtatshëm qëndrimi që po mbani ju këtu? Këtu jemi në Byronë dhe duhet të flasim hapur, nuk mjaftojnë deklarimet, këtu duhet folur nga pozicione të partishme. Po ta marrim çështjen nga këndi që e kam dëmtuar Partinë, atëherë duhet të futesh edhe më thellë në analizën e fakteve.

SHOKU MEHMET SHEHU: Me atë gabim që u bë sigurisht, Partia është dëmtuar.

SHOKU FOTO ÇAMI: Po ku qëndron, shoku Mehmet, e keqja e këtij gabimi, se nuk e thua as në autokritikë. Çfarë pasoja do të kishte kjo që bëre për Partinë?

SHOKU MEHMET SHEHU: E keqja e këtij gabimi, në qoftë se do të lejohej, por jam i bindur se Partia nuk do ta lejonte atë, unë jam një person dhe si i tillë si kushdo tjetër edhe mund të gaboj, atëherë prekej rëndë parimi i luftës së klasave, vija e Partisë në këtë çështje.

SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Po pse me kaq sa ndodhi nuk është prekur dhe nuk është dëmtuar vija e Partisë?

SHOKU MEHMET SHEHU: Është dëmtuar.

SHOKU RAMIZ ALIA: Prekja është prapë diçka e përgjithshme. Çfarë do të ndodhte, pa imagjinojeni pak, shoku Mehmet?

SHOKU MEHMET SHEHU: Është dëmtuar, por nuk është dëmtuar në atë shkallë siç do të dëmtohej, po të vazhdonte. Vazhdimi do të ishte gabim i rëndë dhe atëherë do të kishim…

SHOKU ENVER HOXHA: Atë duam të dimë ne, çfarë do të kishim?

SHOKU RAMIZ ALIA: Çfarë atëherë do të kishim?

SHOKU MEHMET SHEHU: Do të kishim dy vija në luftën e klasave.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po kjo që konstaton, je i bindur se ka rëndësi shumë të madhe?

SHOKU MEHMET SHEHU: Po, po, për këtë jam i bindur, në qoftë se do të rezultonte…

SHOKU ENVER HOXHA: Çdo të rezultonte për Partinë? Çarje?

SHOKU MEHMET SHEHU: Po, çarje e Partisë

SHOKU RAMIZ ALIA: Atëherë ku hyn këtu sentimentalizmi? Vëreni këtë në balancë, se kjo nuk hyn këtu, shoku Mehmet, nuk e shpjegon dot sentimentalizmi këtë.

SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, unë flas për gabimin si arrita. Unë shpjegoj arsyetimet e asaj kohe që më prunë mua në këtë gabim të rëndë, se e kuptoj që gabimi është i rëndë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Në qoftë se sot ju e kuptoni kështu, që kjo që bëre, do ta çante Partinë, do të thotë se kjo do te krijonte një luftë në Parti, do të nxirrte dy vija, pra do të kishte një çarje komplete të Partisë, që nga poshtë deri lart, deri te ne.

SHOKU MEHMET SHEHU: Kështu do të ndodhte në qoftë se do të vazhdonte.

SHOKU RAMIZ ALIA: Atëherë, në qoftë se është kështu, ju duhet ta shikoni këtë me seriozitetin më të madh, pse kjo është kapitale për Partinë, shoku Mehmet, për tërë jetën tonë, për tërë jetën e vendit tonë. Pa bëni një retrospektivë dhe kthehuni një çikë mbrapsht dhe shikoni: një gjë kaq kapitale, kaq e madhe për jetën e Partisë e të vendit, mund të shpjegohet me sentimentalizmin. Kjo nuk ju ndihmon juve, shoku Mehmet, në rast se ngulni këmbë.

SHOKU MEHMET SHEHU: Po nuk është vetëm sentimentalizmi shoku Ramiz, janë të gjitha ato të tjerat që thashë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ti në një vend në autokritikë thua: “Më parë se ta bëja këtë fejesë, u shtanga”. Pse u shtange? Për ç’arsye?

SHOKU MEHMET SHEHU: Pikërisht nga kjo çështje u shtanga, se kisha të bëja me një familje që ka njerëz të arratisur jashtë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ç’do të thotë politikisht kjo? Ç’do të thotë më politikisht kjo?

SHOKU MEHMET SHEHU: Do të thotë që nuk puqet me vijën e Partisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ti u shtange se mendove që akti që po bëje, ishte në dëm të Partisë, u shtange pra pse po veproje kështu.

SHOKU MEHMET SHEHU: Në fillim u shtanga, pastaj u tërhoqa nga kjo shtangie.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pra po bashkoheshe me armikun e klasës.

SHOKU MEHMET SHEHU: U shtanga dhe pastaj u tërhoqa nga shtangia, rashë në oportunizëm.

SHOKU ENVER HOXHA: Të tëra pyetjet vijnë pastaj me radhë: Po pse u shtange? Po mendjemadhësia etj. Po ti u shtange pse ishe i bindur që kjo krushqi ishte e gabuar dhe ti nuk je njeri dokudo. Politikisht e kuptove fajin, prandaj u shtange, domethënë kuptove se ajo që po bëje ishte një gabim i rrezikshëm politik. Këtë duhet ta pohosh. Këtë e thua në autokritikë, po nuk e pohon haptazi. Këtu, te shmangia është çështja, se kjo tregon që ti ishe i bindur se ajo që po bëje ishte veprim i gabuar.

SHOKU MEHMET SHEHU: Dyshoja se mund të ishte i gabuar.

SHOKU RAMIZ ALIA: Shoku Mehmet, po ju e thoni shprehimisht që këtë gjë nuk do t’ia lejonit asnjërit nga djemtë, as një shoku nuk do t’ia këshillonit, domethënë ishit të bindur që politikisht veprimi që bëtë ishte i gabuar, ideologjikisht i shtrembër, por, për vete, këtë ti e shkele!

SHOKU ENVER HOXHA: Me këtë logjikë ti vazhdoje, megjithëse politikisht ishte e gabuar, ti e shkele. Kur e kuptove që ishe duke gabuar, se po shkelje vijën, ti duhej të gjeje rrugën që ta ndreqje këtë që bëre, jo ta prishje. Në qoftë se s’ta priste mendja si ta ndreqje, atëherë duhet të vije të pyesje shokët.

SHOKU MEHMET SHEHU: Të paktën duhej të pyesja shokët, kështu është.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëherë vjen pyetja: pse nuk pyete të paktën një shok? Çështja se nuk doje të shqetësoje Enverin nuk hahet, pse ti pyete një shok dhe ky ishte Feçor Shehu.

SHOKU MEHMET SHEHU: M’u duk se ishte e drejtë një gjë e tillë, po edhe mendjemadhësia, imuniteti, janë të tëra këto elementë negativë që ndikuan tek unë, prandaj i them edhe ato.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo vetëm t’i thuash, por edhe t’i kuptosh thellë dhe t’i zhvillosh ato më tej.

SHOKU PALI MISKA: Shtangia jote do të thotë se në atë çështje ti pe dy rrugë dhe efektivisht ashtu është, politikisht pe dy rrugë dhe u shtange, sepse duhej të vendosje kë do të zgjidhje, nga të shkoje, në rrugën që ka caktuar Partia, apo në rrugën që ishte në kundërshtim me normat dhe me vijën e Partisë? Ti këtu, siç thotë shoku Enver, nuk zgjodhe rrugën e Partisë. Një kjo. E dyta, mirë e more rrugën e gabuar, po duhet të kishe gjykuar një çikë më vonë e të thoshe: “More po ku po vete unë kështu? Ku po më shpie mushka?” Ti nuk e bëre as këtë e kjo do të thotë se ke qenë i bindur për rrugën që more, pse, siç thamë më përpara, je nisur nga mendimi: “unë e kam drejt dhe po vendosa, nuk ma diskuton njeri mendimin”.

SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, unë mendova se e kisha drejt, po jo se vendosa unë dhe ky ishte një vendim i prerë.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po ajo u bë, shoku Mehmet, kurse efekti politik i saj u ndie në tërë Tiranën, dhe me siguri edhe në tërë Shqipërinë. Akti u bë, iku mbaroi. Puna ishte të pyesje përpara se të bëje aktin, shoku Mehmet.

SHOKU MEHMET SHEHU: Ajo u bë, po ama sa më foli shoku Enver, unë menjëherë veprova.

SHOKU PALI MISKA: Shoku Mehmet, për çështjet politike ne nuk duhet të arrijmë të mendojmë e jo më të veprojmë dhe të presim të na tërheqë vëmendjen shoku Enver, se nuk jemi në rregull. Njeriu në punë e sipër mund të bëjë një gabim dhe për këtë Partia na kritikon, po ky që bëre ti është gabim politik, ti vetë e thua atë.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Shoku Mehmet, sikur të ishte fjala për një shok tjetër që ta bënte këtë gabim që bëtë ju, jam qind për qind i bindur, se ti do të gjykoje ndryshe. Ju, pavarësisht se jeni shumë i vjetër si komunist, nuk ju lë sedra e sëmurë të gjykoni drejt si komunist. Nuk është e drejtë që të mbash këtë qëndrim në Byronë Politike. Ti nuk je nga ata që nuk jeni në gjendje nga ana intelektuale të gjykoni mbi këto veprime. Mundet të mos i thuash të tëra, por kryesoret duhet t’i thuash këtu. Më duket se sedra të mundon akoma shumë.

SHOKU MEHMET SHEHU: Për sentimentalizmin ndaj djalit unë them një gjë reale, siç e ndjeja atëherë, në atë kohë.

SHOKU SIMON STEFANI: Më fal, shoku Enver. Shoku Kadri, një minutë. Qëndrimi juaj, shoku Mehmet, është njësoj si edhe qëndrimi i Fiqretit. Unë kam qenë në mbledhjen e organizatës-bazë të Partisë ku bënte pjesë ajo, edhe në të parën, kur bëri autokritikën, edhe në të dytën. Qëndrimi është tamam i njëllojtë, domethënë jeni një. Ju nuk doni t’i nxirrni rrënjët këtij gabimi të rëndë ideologjik, po mundoheni ta kaloni me fjalë të përgjithshme, anësore, jo thelbësore. Duke qenë në dijeni të qëndrimit të të dyve ju, se ju qëndroni në një linjë: “sentimentalizmi, familje e ngushtë, u shpejtuam, etj.”. Por shkaqet ideologjike nuk doni t’i zbërtheni edhe pse i kini mundësitë. Nuk doni ta thoni gjithashtu edhe atë që këtë gabime keni bërë me dije, me ndërgjegje, por i vini rrotull. Edhe shoqja jote, edhe ju, shoku Mehmet, nuk i bini kësaj pune drejt. Unë jam dakord me atë që tha shoku Manush, që juve nuk ju lë sedra.

SHOKU MEHMET SHEHU: Shoku Simon, unë nuk e gënjej Partinë, po në atë kohë kështu kam menduar, prandaj e them sinqerisht ashtu si e kam menduar. Tani e kuptoj që është gabim i rëndë. Them që është gabim i rëndë dhe që nuk duhet përsëritur.

SHOKU RITA MARKO: Pas kritikës që ju bëri shoku Enver ju korrigjuat gabimin. Unë pyes tani: Ishit të bindur për korrigjimin që bëtë, se kam mendimin që ju nuk keni qenë të bindur.

SHOKU MEHMET SHEHU: Cilën kritikë?

SHOKU RITA MARKO: Atë që të është bërë dhe që e korrigjuat fejesën dhe u bë ndarja e djalit me atë vajzë.

SHOKU MEHMET SHEHU: Isha i bindur për këtë.

SHOKU RITA MARKO: Analizojeni mirë këtë, se mendimi im është që ju nuk keni qenë të bindur, keni pranuar ta bënit këtë ndarje nga autoriteti i udhëheqjes së Partisë, po në vetvete nuk keni qenë shumë i bindur. Po të ishit, do ta analizonit më mirë, do të gjenit forca që do të mbytnit edhe sedrën që keni dhe të tëra të tjerat.

SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, unë nuk jam dakord me këtë që thua ti. Unë kam qenë i bindur që ishte gabim dhe veprova menjëherë. Memorie.al

Go to TOP