Shoqata e Prokurorëve reagon ndaj Fitore Pacollit: Deklaratat e saj cenojnë integritetin e drejtësisë
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Kosovës ka reaguar pas deklaratave publike të deputetes së Kuvendit të Kosovës, Fitore Pacolli, të drejtuara ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Në reagimin e saj, Shoqata shpreh shqetësim duke theksuar se deklaratat e tilla janë të pavërteta dhe të pabazuara, ndërsa cenojnë jo vetëm integritetin e sistemit prokurorial, por edhe besimin e qytetarëve në drejtësi.
“Sulmet politike të drejtuara ndaj prokurorëve përmes shkrimeve apo deklaratave publike përbëjnë cenim të pavarësisë së institucionit të Prokurorisë dhe janë të papranueshme,” thuhet në reagim.
Shoqata nënvizon se do të mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e pavarësisë së sistemit prokurorial dhe në garantimin e një drejtësie të paanshme për të gjithë qytetarët e vendit. /Kosova.info/
